Veliaj: PD, fushatë si në vitet ‘90/ “Kush bërtet më shumë, e kush xhiron gomat e makinës”

20/04/2021 15:13

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishte  në Shëngjergj, ku sipas tij  ekonomia lokale është ngritur vetëm gjatë viteve të fundit falë promovimit të agroturizmit dhe prodhimeve bujqësore.

Edhe pse një komunitet i vogël banorësh, Veliaj tha se Partia Socialiste ka punuar njëlloj për këdo, si në qendër ashtu dhe në periferi, ndërsa për Partinë Demokratike njerëzit janë thjesht numra dhe prandaj ata shfaqen vetëm përpara zgjedhjeve.

“Më pyesin njerëzit shpesh: ‘Pse shkon në Shëngjergj për 600-700 vota? Pikërisht kjo është diferenca mes partisë tonë dhe të tjerëve. Ata i shohin njerëzit si numra dhe kujtohen vetëm kur vjen vakti i zgjedhjeve. Për ne njerëzit janë familje dhe në familje secili ndihmon tjetrin në rast nevoje”, tha ai.

Veliaj ironizoi fushatën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, iu bën karshillëk njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke promovuar modelin e makinave të shtrenjta, një xhiro e vetme e të cilave tha ai vlen sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit.

Shikoj palën tjetër, xhiro gomat, hip mbi makina, akoma në vitet ‘90 duke u rënë borive. Por sot nuk është kush xhiron më shumë rrotat, po kush xhiron më shumë ekonominë dhe kush prodhon më shumë mirëqenie për njerëzit. Nuk është kush bërtet më shumë, kush vjen me “Jeep”, apo “Bentley”, me “Range Rover”, “Porsche” e “Lamborghini”, një xhiro e Lulit është sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit, por kush bën më shumë shkolla, kush ndihmon me një shtëpi e kush ndihmon me ushqime në këto ditë të vështira,” tha Veliaj.

Top Channel