“Meta ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit”- Rama për ngjarjen në Kavajë: Autori duhet çuar para drejtësisë. Politizimi i situatës…

20/04/2021 11:51

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë në Kavajë, ku mbrëmjen e djeshme në selinë e PD-së u plagos një simpatizant i PD-së.

Rama: Nuk pritën as një orë apo dy orë që ngjarja të kuptohej drejtuan gishtin ndaj nesh. Unë pa pritur asnjë minutë thash atë që në fakt duhet ta thotë kushdo që është serioz dhe e ka seriozisht shtetin, ligjin, drejtësinë, të vërtetën.

Ngjarja është e patolerushme dhe autori duhet çuar menjëherë para drejtësisë dhe që Basha nuk duhet ta politizojë ngjarjen ndërkohë që Meta duhet ta ndalë fushatën e tij idioteske të tensionimit të situatës.

Basha tha atë që unë mendoja se do thoshte dhe jo atë që unë do dëshiroja. Sot gjithçka është e zbardhur. Autori nuk ka lidhje me PS, apo fushatën tonë, por është një militant i PD në një sherr për arsye që s’kanë lidhje me politikën.

Mund të kishte ndodhur të ishte e kundërta, militant i PS, por kjo nuk do të fajësonte PS në asnjë mënyrë dhe as PD për aktin, por PD është e fajësueshme për politizimin skandaloz që është po aq i keq sa ajo ngjarje. Në atë ngjarje është plagosur një njeri, ndërsa politizimi plagos gjithë shoqërinë.

Në atë ngjarje është bërë një vepër penale, kurse politizimi i kësaj ngjarje është një tjetër vepër e shëmtuar morale. Si mund të jesh zëdhënës i ndryshimit dhe të vazhdosh të zgjasësh zinxhirin e veprave të shëmtuara morale që e kanë shoqëruar lidershipin e asaj partie.

Top Channel