Basha: Rama diskriminoi Kamzën. Të dielën, pjesëmarrja më masive në historinë e vendit dhe fitorja më e thellë e shqiptarëve

20/04/2021 19:44

Prezenca e madhe e simpatizantëve në takimet elektorale ka qenë element i fushatës së Lulzim Bashës prej ditës së parë, ku masat anticovid në të shumtën e rasteve nuk janë respektuar.

Përjashtim nuk bëri as Kamza, por prania e shume njerëzve në shesh për kryedemokratin është një tjetër tregues për atë që do të ndodhe ditën e dielë.

“Do të jetë pjesëmarrja më masive në historinë e vendit dhe fitorja më e thellë e shqiptarëve të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim. Këtë e dëshmon kjo prani e jashtëzakonshme sot këtu në Kamzë. Këtë e kam parë në sytë e nënave dhe baballarëve, në sytë e rinjve dhe të rejave nga Saranda në Tropojë. E prek dhe e shoh kudo padurimin, etjen për ndryshimin që po vjen dhe nuk ka forcë që ta ndalë”, tha Basha.

Kryedemokrati akuzoi Edi Ramën se ka diskriminuar Kamzës gjatë 8 viteve pushtet, ndaj kërkoi ndihmën e demokratëve ta largojnë me votë.

“Me besim dhe vendosmëri për t’i dhënë fund dimrit 8 vjeçar. Për ta larguar njëherë e mirë me votën më të madhe popullore njeriu që 8 vite me radhë e mbajti vendin peng, shkatërroi familjet tona duke i ndarë me emigracion, nëpërkëmbi, diskriminoi, përbuzi me arrogancë dhe harbutizëm qytetarët e Kamzës, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. 8 vite dështime, 8 vite mashtrime. Tani po vjen ora, dita e shqiptarëve për ti dhënë përgjigje duke votuar numrin 9-të”, u shpreh kryedemokrati.

Basha u premtoi banorëve të Kamzës se do amnistojë gjobat e OSHE, do të përfundojë procesin e legalizimit dhe do përmbyllë shpejt procesin e rindërtimit nga tërmeti.

Top Channel