“Qelizat vitale të PS…”/ “Kjo është fukse, unë kryefuksi”, Rama i përgjigjet Metës për patronazhistët

19/04/2021 17:22

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta për çështjen e patronazhistëve dhe daljen e të dhënave personale të votuesve të qarkut të Tiranës.

Kreu i qeverisë shprehet se për PS patronazhistët janë qelizat vitale të partisë dhe ndodhen në të gjithë territorin për të komunikuar me njerëzit dhe për ti dëgjuar për problemet dhe hallet e tyre.

Kryeministri Rama tregon se në vitin 2009, kur ka qenë ministër i brendshëm, Bujar Nishani, e gjithë databaza e gjendjes civile ka qenë e aksesueshme në internet kundrejt një pagese, por tashmë është e mbyllur.

Rama: Këtu ka patronazhistë. Ja kjo ( i drejtohet një vajze), sipas Ilir Metës po survejon Pogradecarët, kjo është fukse, bashkë me mua kryefuksin, megjithatë nuk kam dashur të hyjmë më thellë në punën e kësaj historie se e kam ditur që do fillojë të shfaqet, që ne kemi një rrjetë të tërë me patronazhistë nuk diskutohet, janë qelizat vitale të PS. Që ne kemi në të gjithë territorin këtë rrjetë që komunikon me njerëzit dhe i dëgjon njerëzit nuk diskutohet, e kemi për nderë, por që ne nuk e kemi atë që këta ekspozojnë, edhe kjo nuk diskutohet. Ilir Meta thotë se janë përhapur të dhënat, po kush i përhapi? Ne? Së pari të dhënat tona janë të ndryshme nga ato që kanë dalë, por le ta zëmë. Kush i përhapi? E dyta, nuk e di Ilir Meta që qysh 2009 kur rreshter Bujar Nishani ishte Ministër i Brendshëm e gjithë databaza e gjendjes civile ka dalë dhe është në internet dhe blihej me 15 dollarë, tani është mbyllur.

Kreu i qeverisë nuk ka kursyer akuzat për Presidentin Meta, duke thënë se: “E pash sot e kishin kapur në një foto me kapuç, dielli shkëlqente, atje në cep me kapuç, mbuluar, se kur takon subjektet e OFL-së do vesh dhe kapuç”.

Rama: Në patronazhistët tanë nuk i kanë këto të dhëna siç i kanë këta, përse i nxjerrin këto, ku duan të dalin? E pash sot e kishin kapur në një foto me kapuç, dielli shkëlqente, atje në cep me kapuç, mbuluar, se kur takon subjektet e OFL-së do vesh dhe kapuç. Është i bindur se e kanë kapur patronazhistët. Ata s’kanë kohë të humbin me Ilir Metën, unë e di se çfarë do të thotë edhe kur nuk flet. Çfarë do zbulojmë në atë kokën e madhe të Ilir Metës, e kam vetë më të madhe kokën. Kjo është një tentativë për të krijuar konfuzion për njerëzit dhe për të ngritur alibinë e asaj që do të ndodhi më 25 prill. Mos shifni as sondazhe, mos dëgjoni analistë, thjesht në datën 25 kur mbaron votimi kush është dakord me mua për çka thash të bëjë atë mundet, të mos lër njeri që njeh rreth e rrotull pa e çuar atje te kutia e votimit dhe do ta shohim mirë se çfarë do të dalë nga kutit e votimit. E kam thënë 74 dhe 78, më pak ta harrojnë të gjithë.
Fëmijët nuk votojnë por ne votojmë për ta!

Top Channel