Meta denoncon: Para një viti u punësuan 10 mijë qytetarë në administratë për të rehatuar patronazhistët

19/04/2021 11:22

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një shënimi në facebook ka denoncuar faktin se një vit më parë janë punësuar në administratë publike 10 mijë qytetarë.

Sipas Kreut të Shtetit thotë se këto vende punë nuk kanë pasur asnjë vlerë në shërbim të qytetarëve, por janë bërë me qëllim për të “rehatuar” kryesisht patronazhistët.

Meta thekson se në 25 prilli është referendum popullor kundër fuks-shtetit, i vënë tërësisht në shërbim të survejimit dhe patronazhistëve.

Postimi i plotë:

25 PRILLI, REFERENDUM KUNDËR FUKS-SHTETIT!

Punësimi nga Partia-Shtet i 10 mijë vetëve më shumë se një vit më parë në administratën publike, qëllimisht në prag të zgjedhjeve, është ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

Këto vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, paguhen me taksat e qytetarëve duke e rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike.

Ndërsa shteti i kapur, hap 10 mijë vende pune në administratën publike, pa asnjë vlerë,  për të “rehatuar” kryesisht patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë.

Mirë që na survejojnë, por edhe t’i mbajmë me rroga për këtë!

Prandaj 25 Prilli, është referendum popullor kundër FUKS-SHTETIT, i vënë tërësisht në shërbim të survejimit dhe patronazhistëve.

Me votën e tij plebishitare Sovrani më 25 Prill, rivendos rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës.

Top Channel