Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi banorët e Pukës dhe i tha se “25 prilli është dita e shqiptarëve, nuk është dita e asnjë politikani dhe e asnjë partie politike”.
Sipas Bashës, qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar Pukën. “Por si asnjëherë tjetër më parë në këto zgjedhje ka një kontrast të madh midis dikujt që 8 vite me radhë e ka pasur pushtetin në dorë dhe nuk ka bërë asgjë për t’ju ndihmuar. 8 vite me radhë ju ka vënë çdo pukjani e pukjane, çdo shqiptare e shqiptari lakun e mjerimit, lakun e varfërisë, e këtu në Pukë e Fushë-Arrëz edhe lakun e kriminalitetit i cili përfiton e majmet me djersën e ballit të nënave dhe baballarëve pukjanë teksa përzënë në emigracion të rinjtë Pukjanë. Nga ana tjetër është alternativa jonë, alternativa e ndryshimit, alternativa e cila do të punojë që rininë e mrekullueshme të Pukës ta mbajë këtu, ta arsimojmë këtu, ta punësojmë këtu”.
Kryedemokrati premton subvencione në bujqësi dhe industri dhe rritje pagash e pensionesh. “Fermeri shqiptar, fermeri dhe blegtori pukjan njësoj si vëllai dhe motra e tij në Kosovë do të ketë më qeverinë e ardhshme aleatin e saj me subvencione, me një ndryshim total të zhvillimit infrastrukturor rural dhe me mbështetje për pensionistët dhe pensionistët që kanë shkrirë jetën në punën e vështirë. Me minatorët dhe minatorët por mbi të gjitha vëmendja jonë do të jetë te një ekonomi e cila rrezaton pozitivitet, te një ekonomi e çliruar nga oligarkia, nga monopolet, nga bandat te një ekonomi e çliruar nga terror shtetëror, te një ekonomi e çliruar nga çmimi i naftës dhe i energjisë, te një ekonomi që punon, prodhon mirëqenie, punë, paga të larta për çdo familje shqiptare”.
Sipas Bashës, nëse vjen në pushtet, “qeveria do të jetë e shqiptarëve dhe jo pushtetarëve. “Pas kësaj, do të jemi prapë bashkë në një rrugë plot sfida, po ku ju garantoj se do jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve dhe qeveria shqiptare do të jetë qeveria e njerëzve dhe për njerëzit.
Njësoj siç e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s kur askush se besonte, njësoj siç i hoqëm shqiptarëve kularin e vizave dhe ju dhamë dinjitetin dhe mundësinë për të vizituar bijtë e nënave në emigracion. Njësoj bashkë do ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Është në dorën tuaj, është në dorën e shqiptarëve ndaj s’ka forcë ta ndalë sepse vendimi është me 25 prill të bëhemi bashkë për ndryshim dhe votojmë numrin 9”.
Top Channel