Balla takim me gra e vajza në Gramsh: Fokusi në katër vitet e ardhshme do të jetë punësimi

18/04/2021 18:52

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Taulant Balla vijon me takimet e tij elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Balla, në fjalën e tij bëri një paralelizëm të punëve të qeverisë, teksa nuk la pa komentuar edhe opozitën. Sipas tij, nëse kësaj të fundit do t’i jepej mundësia, do të rimerrte edhe njëherë peng Shqipërinë. Prandaj kërkoi mbështetjen për kryeministrin Edi Rama.

Kemi në krye të vendit një qeveri e cila punon natë e ditë në interes të njerëzve, dhe përballë kryeministrit Rama kemi një gjumash që nuk është për asnjë punë por që pas tij fshihen hienat e politikës së vjetër të këtyre 30 viteve. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë gati aty, që nëse u jepet mundësia të rimarrin edhe njëherë peng Shqipërinë ashtu sikurse kanë bërë gjithë këto vite. Prandaj apeli im është jo vetëm për gratë e vajzat e Gramshit por për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë, të cilat e dinë më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e reformës në drejtësi që ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë dhe që kjo të mos ndodhë duhet që të mbështesim sa më shumë Edi Ramën“, pohoi kreu i grupit parlamentar socialist.

Po ashtu, Balla nuk nguroi të përmendë edhe një nga pikat, e cila do të gjejë zbatim menjëherë sapo të marrin mandatin e tretë qeverisës. Fokusi në katër vitet e ardhshme sipas tij do të jetë pikërisht punësimi i sa më shumë grave e burrave.

Ne na duhet që të paktën në këtë mandat të ri të kemi edhe dy apo tre fabrika të reja punësimi për gratë apo edhe për burrat e këtij qyteti. Është e vetmja mënyrë që ne të arrijmë të ndezim si duhet zinxhirin ekonomik në këtë trevë pa harruar diçka që nuk e kemi përdorur aspak si duhet në dobi të ekonomisë së Gramshit. Bëhet fjalë për pikat turistike të kësaj zone. Është e bekuar zona e Gramshit, kudo ka gjëra të bukura Gramshi por ne kurrë nuk arritur që t’i shesim siç duhet. Ky është faji jonë, është përgjegjësia jonë. Prandaj ne themi që ne nuk kemi arritur atë që kemi dashur sepse në këto dy vite ku ta kishim mendjen më përpara? Ne mblidheshim vetëm për të votuar akte normative, për të riparë buxhetin, për të paguar vaksinat. Tani që e kaluam pjesën më të vështirë, mendoj se jemi gati për të nisur një rrugë të re. Nuk e ka PD-ja në hartë Gramshin. LSI-ja pastaj është më e rëndë akoma, është anti-kombëtare. Unë nuk hezitoj ta quaj, është anti-kombëtare sot t’i japësh votën LSI-së. Këtu në Gramsh na duhet mbështetja juaj”, tha në mbyllje të fjalës së tij drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Elbasanit Balla.

Top Channel