Identifikimi elektronik/ Celibashi: Procesi nuk do të jetë i thjeshtë, por janë marrë masat që të jetë i suksesshëm

16/04/2021 11:31

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka folur për identifikimin elektronik gjatë ditës së sotme ku është shprehur se nuk ka për të qenë një punë e thjeshtë, por janë marrë masat që projekti të jetë i suksesshëm më 25 Prill.

Celibashi: Sikurse e kemi thënë dhe herë të tjera nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk ka qenë një proces i thjeshtë dhe nuk mendoj që do të jetë dhe kaq i thjeshtë në ditën e votimit në kuptim të operimit, por jo në kuptim të raportit të zgjedhësit me makinën sepse nuk ka asnjë problem. Mendoj që nga KQZ janë marrë të gjitha masat që ky projekt të jetë i suksesshëm.

Të dhënat janë hedhur në cdo pajisje që identifikon votuesit. Pajisja do të ketë vetëm të dhënat e qendrës së saj të votimit. Në momentin që një person paraqitet në qendrën e gabuar të votimit, apo voton për herë të dytë, pajisja lëshon sinjale akustike.

Ndër të tjera, Celibashi ka siguruar se edhe procesi i votimit në njësinë 10 ku do të votohet elektronikisht ka për të qenë 100% i sigurt.

Celibashi: Procesi është 100% i sigurtë në çdo pikëpamje dhe nuk ka asnjë shans që dikush tjetër të manipulojë procesin. Procedurat e votimit janë 100% të sigurta, integriteti dhe rezultati do të reflektojë 100% vullnetin e zgjedhësve. Kjo sa i përket procesit të votimit nëpërmjet pajisjeve elektronike. Edhe në tërësi, në këtë njësi, ashtu si edhe njësitë e tjera zgjedhore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ofron i gjithë procesi përgatitor për mos cenimin e integritetit të votës.

Top Channel