Deputeti Jurgis Çyrbja dhe Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, kanë inspektuar një sërë investimesh të rëndësishme që po zbatohen në njësinë administrative të Ishmit.

Ata kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore që po ndërtohet në këtë zonë, një rrugë kryesore që po rehabilitohet tërësisht dhe disa banesa individuale që po rindërtohen në kuadër të procesit të rindërtimit. Kandidati Çyrbja pohoi se vëmendja e qeverisë ka qenë dhe mbetet maksimale ndaj kësaj zone dhe gjithë Durrësit, ndërsa shtoi se mandati I ardhshëm do të vijojë të ketë në fokus vijimësinë e projekteve të nisura në mbarë vendin.

“Dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për mbarë vendin tonë, por rimëkëmbja ka nisur të ndjehet në çdo fushë. Në 9 fshatrat e Njësisë Administrative të Ishmit, ndjehet kudo transformimi dhe punë e pandalur e qeverisë dhe do të vijojmë me këtë ritëm, që t’i ofrojmë këtyre banorëve shërbimet që meritojnë. Aksi që po inspektojmë sot ka rëndësi të madhe për gjithë komunitetin që jeton këtu, por edhe më gjerë. Partia Socialiste është forca politike e fjalës së mbajtur”, pohoi Çyrbja.

Kryebashkiakja Sako deklaroi se rruga prej 9 kilometrash që lidh Ishmin me qytete të tjera përfundon pas dy muajve e po kështu shumë shpejt përfundon edhe qendra shëndetësore. Nga procesi i rindërtimit në Ishëm po ndërtohen 300 banesa të reja individuale, janë rindërtuar 2 shkolla dhe 2 të tjera janë në proces.

“Jemi duke inspektuar një rrugë e cila ka filluar punimet me kontratë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kjo rrugë prej  9 kilometrash do të zbatohet në një afat kohor prej 2 muajsh, nga fillimi në rrugën kryesore do të shkojë deri në Lalëz. Ky aks shumë i rëndësishëm do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit, por është një rrugë që lidh këtë njësi administrative me qytetet e tjera dhe me veriun e Shqipërisë. Në këtë njësi administrative e dëmtuar nga tërmeti, kemi rreth 300 banesa dhe  ka filluar puna për pjesën më të madhe prej tyre, shumë shpejt mbarojnë objektet e para. Më tej kemi dhe një qendër shëndetësore që sot është një kantier ndërtimi. Ndërkohë kemi dy shkolla të përfunduara me standarde shumë të mira, si dhe dy objekte të tjera që janë në proces pune, ku KFV do fillojnë zbatimin e punimeve, që është një përgjigje shumë e mirë që ne i kemi dhënë nëpërmjet procesit të rindërtimit gjithë kësaj zone dhe gjithë këtij komuniteti”, u shpreh kryebashkiakja Sako.

 

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA