Greqi, rekord të intubuarish/ Edhe numri i viktimave mbetet i lartë, ndërsa testet po bëhen masivisht

14/04/2021 01:34

Greqia ka regjistruar përsëri numër rekord të intubuarish, 802, që është edhe shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë.

Gjithashtu me 93 viktimat në 24 orët e fundit numri i të vdekurve nga koronavirusi në vend ka shkuar në 9054, ndërsa me 4033 të prekurit e sotëm, numri i të infektuarve ka tejkaluar shifrën prej 301.000 personash.

Vlen të përmendet se gjatë ditës së martë janë kryer edhe 76.070 teste (PCR:24.958, RAPID: 51.112) shifër rekord dhe përqindja e pozitivitetit nga virusi ka shkuar në 5,3%. Me hapjen e klasave të fundit të maturës dhe të dyqaneve të biznesit të vogël, autoritetet shëndetsore bëjnë thirrje për respektim të masave pasi edhe shtrimet e pacienteve me simptoma të Covid-19 janë më shumë se 450 çdo ditë.

Specialistët ende nuk këshillojnë hapjen e përgjithshme të ekonomisë, sidomos të restoranteve dhe bareve dhe lehtësimin e masave, por nga ana tjetër ekziston padurimi për fillimin e sezonit turistik dhe heqjen e kufizimit të lëvizjeve sidomos në periudhën e Pashkëve.

Qeveria shpreson se një rrugëzgjidhje janë të ashtëquajturat self-teste të cilat kanë filluar prej disa ditësh të shpërndahen falas, një për çdo person në javë dhe dy për çdo nxënës e mësues të shkollave të mesme.

Gjithashtu deri në fund të prillit hapen platformat për regjistrimin e datës së kryerjes së vaksinave edhe për moshat nga 18-54 vjeç, pavarësisht probleve të fundit që kanë dalë me vonesat apo hezitimin e shumë qytetarëve për vaksinat e kompanive AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Deri më sot në Greqi janë vaksinuar mbi 2.236.000 persona prej të cilëve 766.000 kanë kryer edhe dozën e dytë.

Top Channel