Tenesi/ 1 i vdekur, një polic i plagosur në një incident me armë zjarri

13/04/2021 06:16

Një person ka mbetur i vdekur në një shkollë të mesme në Noksvill të shtetit Tenesi pas një incidenti me armë zjarri që la të pagosur edhe një polic, kur forcat e rendit reaguan për të vënë nën kontroll situatën.

Incidenti që u regjistrua pas orës 15 në shkollën Austin-East të hënën, ishte episodi më i fundit në një seri masakrash me armë zjarri që janë regjistruar në SHBA gjatë javëve të fundit. Policia e Noksvillit njoftoi se mjekët thonë se polici i plagosur pritet të mbijetojë.

“Ai është i vetëdijshëm dhe me humor të mirë. E falenderova që kishte vënë jetën në rrezik për të mbrojtur nxënësit dhe personelin e shkollës. Më tha se më mirë të lëndohet ai se të tjerë,” tha për kanalin CBS News kryebashkiakja e Noksvillit, Indya Kincannon.

Hetuesit nuk kanë bërë publik identitetin e të dyshuarit apo të viktimës që humbi jetën, por thanë se të dy ishin meshkuj. Nuk është e qartë nëse viktima ishte nxënës i shkollës. “Bazuar në hetimet paraprake, Departamenti Policor i Noksvillit shkoi në shkollën e mesme Austin-East pasi mori njoftimin se një i dyshuar mashkull ishte i armatosur në mjediset e shkollës,” tha departamenti policor përmes një postimi në Facebook.

“Kur policët iu afruan të dyshuarit, pati shkëmbim zjarri. Një polic u qëllua të paktën me një plumb dhe u dërgua në qendrën mjekësore të Universitetit Tenesi me plagë që nuk mendohet se përbëjnë rrezik për jetën. Një mashkull u deklarua i vdekur në skenën e ngjarjes, ndërsa një tjetër është ndaluar ndërsa vazhdojnë hetimet”.

Fillimisht policia kishte njoftuar se kishte “disa viktima” nga sulmi. “Ndërtesa e shkollës është nën kontrollin e autoriteteve dhe nxënësit që nuk ishin të përfshirë në këtë incident janë kthyer pranë familjeve,” tha shefi i departamentit të arsimit për qytetin Noksvill, Bob Thomas.

Policia kishte caktuar në fushën e bejsbollit të shkollës një pikë takimi për prindërit dhe nxënësit që dilnin nga shkolla. Në incidente të tjera javët e fundit, një person mbeti i vrarë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një fabrikë mobiljesh në Teksas kur një individ i armatosur filloi të qëllonte para se të arrestohej.

Ndër raste të tjera të vrasjeve në masë: tetë vetë mbetën të vrarë në një sallon masazhesh në Atlanta të Xhorxhias; 10 vetë gjetën vdekjen në një dyqan ushqimesh në Boulder të Kolorados; katër vetë, ndër ta një djalë 9-vjeçar, humbën jetën kur një individ i armatosur hapi zjarr në një zyrë të shitjes së pasurive të patundshme në Orinxh të Kalifornisë./VOA

Top Channel