Qeveria japoneze: Uji i ndotur nga Fukushima do të hidhet në det

13/04/2021 09:48

Japonia miratoi planin për të hedhur në det më shumë se një milion tonë ujë të ndotur nga termocentrali i shkatërruar bërthamor, Fukushima.

Uji do të trajtohet dhe do të hollohet, në mënyrë që nivelet e rrezatimit të jenë nën nivelet e vendosura për ujë të pijshëm.

Qeveria japoneze tha se puna për lëshimin e ujit që përdoret për të ftohur karburantin bërthamor, do të fillojë brenda dy vjetësh.

Rreth 1.25 milion tonë ujë u ruajtën në rezervuarë në termocentralin bërthamor Fukishima, qëkur tërmeti masiv i vitit 2011 shkaktoi shkrirje të reaktorëve.

Që atëherë, operatori Tokyo Electric Power vazhdon të injektojë ujë në tre reaktorë për t’i mbajtur ata të ftohtë.

Lëshimi i ujit në det pritet të marrë dekada kohë.

Banorët lokalë, grupet e mjedisit, ashtu si dhe Kina dhe Koreja e Jugut e kundërshtuan planin, duke u thirrur në shqetësimet për sigurinë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e miratoi lëshimin e ujit, duke thënë se qasja e tillë është e ngjashme me procedurat që ndjekin impiantet bërthamore gjetkë në botë për hedhjen e ujërave.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu e mbështeti vendimin e Japonisë, duke thënë se ajo “duket se ka miratuar një qasje, në përputhje me standardet e pranuara në nivel global për sigurinë bërthamore”.

Top Channel