“Pas vuajtjes vjen lehtësimi”/ Rama në xhaminë e Et’hem Beut: Me orën e re policore do kryeni të gjithë ritualet

13/04/2021 10:28

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka inspektuar xhaminë e restauruar të Et’hem Beut’, në qendër të kryeqytetit.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe kreu i KMSH, Bujar Spahiu, Rama tha se me zgjatjen e fashës orare të lëvizjes, besimtarët do të kenë mundësi të kryejnë të gjitha ritualet.

Kryeministri ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Deri përpara një muaji ishte e paimagjinueshme që do hynit në muajin tuaj më të rëndësishëm të vitit të shtrënguar jo pak nga pandemia dhe me zgjatjen e orarit do keni mundësi të bëni të gjithë ritualet. Ky muaj do jetë energjizues. Kam besim që me daljen nga tuneli i pandemisë, me hapjen e sezonit të pandemisë të dalë nga ajo që thonë ju pas vuajtjes së madhe vjen lehtësimi. I uroj të gjithë komunitetit një muaj agjërimi të pranuar edhe Zoti qoftë me ju edhe shqiptarët”, u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë, në postimin e tij në “Facebook”, shoqëruar me videon gjatë inspektimit, Rama thekson se “Ky xhevahir i Trashëgimisë sonë Kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave dhe sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë”.

Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, falenderon Kryeministrin për kontributin dhe thotë se përveç muajit të Ramazanit do të jetë e aksesueshme për të gjithë vizitorët.

“Të falenderoj për gjithë kontributin e përbashkët për këtë vepër madhështore që i ri-konstruktua. Përveç muajit të Ramazanit do jetë e aksesueshme edhe për vizitorët. Të nxjerrim në pah vlerat e kësaj xhamie”, u shpreh Spahiu.

 

FOTO GALERI
2/4

Top Channel