Izolimi, më sukses se vaksina/ Johnson bën analizën e uljes së rasteve të koronavirusit në Britani

13/04/2021 21:17

Kryeministri Boris Johnson sugjeroi sot se milionat e vaksinave që janë administruar në krahët e miliona britanikëve  nuk janë çelësi i suksesit për uljen e infektimeve, shtrimeve nëpër spitale  dhe vdekjeve  nga Covidi. 

Ai paralajmëroi se kanë qenë masat e lockdownit arsyeja kryesore se përse Britania u shndërrua nga “i sëmuri i Evropës” në të shëruarin e kontinentit. Duke folur një ditë pas lehtësimit të masave shtrënguese dhe kur nuk kanë munguar skenat e shfrenimit dhe abuzimit me pijet nëpër pabet dhe restorantet pas mbylljes së tyre që prej fillimit të janarit, Johnson tha se lockdown-i kombëtar tre mujor, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm në mposhtjen e Covidit.

Aktualisht, 40 milionë britanikë nga një popullsi prej afro 68 milionë banorë, janë vaksinuar ndërkohë dhe nga sot, çdo britanik nga 45 deri 49 vjeç mund të prenotojnë takimet për bërjen e vaksinave.

Deklarata e Boris Johnson duket se bie  ndesh me opinionin e përgjithshëm edhe të shkencëtarëve se vaksinimi ka qenë një faktor vendimtar në uljen e infektimeve, shtrimeve dhe rënien e jashtëzakonshme të vdekjeve nga Covidi, ku momentalisht këto të fundit janë poshtë 10 vetave në ditë krahasuar me afro 1700 vdekje që regjistroheshin çdo ditë  në Britani në fund të janarit.

Top Channel