I lodhur nga pandemia! Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë në Austri

13/04/2021 12:03

“I rraskapitur nga lufta me pandeminë”. me këtë argument ministri austriak i shëndetësisë, Rudolf Anschober, vendosi të paraqesë dorëheqjen.

“Në krizën më të rëndë shëndetësore në dekada, republikës i nevojitet një ministër shëndetësie i cili të jetë 100% i aftë. Por ky njeri, aktualisht, nuk jam unë”, tha Anschober i cili përmendi problemet që ka me shëndetin, e kryesisht presionin e lartë të gjakut.

“Ajo që mora 15 muaj më parë ishte një punë shumë e bukur e sfiduese. Megjithatë tani nuk më duket sikur kanë kaluar 15 muaj, por 15 vjet”, u shpreh ministri. Anschober e mori detyrën janarin e 2020-tës, përpara se pandemia të godiste Austrinë. 60 vjecari që është faktikisht një ish gazetar, u kthye në njërin prej politikanëve më popullorë të vendit veçanërisht gjatë kësaj periudhe, me shpjegimet e detajuara që bënte lidhur me pandeminë dhe sfidat e paraqitura prej saj.

Madje në disa raste zëri i tij kishte mbetur i vetëm në qeveri kur insistoi për masa të rrepta izoluese pas rritjes së ndjeshme të infektimeve. Austria, me 8.8 milionë banorë, regjistron 9.700 viktima nga koronavirusi e 578,000 të prekur. Anschober shpjegoi se për mbi një vit nuk kishte marrë pothuajse asnjë ditë të plotë pushimi, dhe kjo ka ndikuar në shëndetin e tij.

Top Channel