Anulohet projekti i TIKA-s për restaurimin e Hamamit të Madh

13/04/2021 14:32

Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, ka anuluar projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qerim Ondozi, këshilltar për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Po, ky projekt është pezulluar. Arsyetimin për pezullimin e këtij projekti do ta bëjmë publik shumë shpejt”, ka deklaruar Ondozi të martën.

Hamami i Madh i Prishtinës pritej që të hynte në një fazë të restaurimit dhe shndërrimit në muze, dhe ishte paraparë që për këtë projekt të investoheshin rreth 1 milion euro.

Më shumë se gjysma e projektit ishte planifikuar të financohej nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe punimet ishte paraparë që të kryheshin nga një kompani që do të përzgjidhej nga Qeveria turke.

Projekti që ishte prezantuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, pati nxitur reagime të shumta për shkak se Hamamit të Madh, i cili është objekt i trashëgimisë kulturore, i ishte ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) pati njoftuar më 3 mars të vitit 2021, se ka refuzuar të trajtojë lëndën për Hamamin e Madh të Prishtinës, pikërisht për shkak të emërtimit.

Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) pati hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës./REL/

Top Channel