Projekti spektakolar/ Në 2054 nis në Mars ndërtimi i qytetit të vetëmjaftueshëm për njerëzit (fotot)

03/04/2021 21:48

Në një prezantim të pabesueshëm nga ABIBOO Studio janë shfaqur së fundmi planet arkitekturore të atij që pritet të jetë qyteti i parë i vetëmjaftueshëm në planetin Mars për një koloni njerëzore.

Kompania detajonte planin konkret duke thënë se nisja e ndërtimit të vendbanimit mund të nisë brenda 30 vjetëve.

Sipas vizionit të tyre, kryeqyteti i tij do të jetë Nüwa, i cili do të ketë fabrika, rrjete të transportit publik, impjante zbavitjeje dhe shtëpi për rreth 1 milionë njerëz. Kolonia do të ndërtohet në anë të rrëpire marsiane, në vendndodhjen e njohur tashmë si Tempe Mensa.

Kjo sepse pozicionimi i saj vertikal do të mbrojë banorët nga radiacioni dhe meteorët e mundshëm, duke i lënë banorëve vetëm dritë indirekte të diellit, shpjegojnë dizenjuesit.

Puna është llogaritur të nisë në 2054, por jo me ‘krahë njerëzore’ por me robotë, pasi për të realizuar udhëtimin gjashtë mujor të njeriut deri në Mars do të duhet të pritet deri rreth vitit 2100.

“Ne mendojmë se është e arritshme nga aspekti teknik,” tha themeluesi i grupit ABIBOO, Alfredo Muñoz.

Ai parashikonte se aspekti më konsumues në kohë i projektit është sigurimi i vullnetit dhe i grupeve nga komuniteti ndërkombëtar njerëzor në tokë.

“Kjo ka të bëjë me atë që do të vijë nga sektori privat i biznesit, nga sektori publik, nga vendndodhjet e ndryshme, kulturat e ndryshme, pasi duhet të sigurohemi që atje të ketë diversitet”.

“Kolonia njerëzore marsiane do të ketë pesë vendndodhje dhe jo një me qëllim të përmirësohet “rezistenca e mbijetesës, aksesi afatgjatë në burimet natyrore, dhe opsionet e lëvizjes në Mars,” shpjegohet në faqen e internetit të grupit.

Në to do të përfshihet një qytet në polin e veriut të planetit “për të siguruar akses të akulli” dhe një tjetër i vendosur “në kenionin më të madh të sistemit diellor”.

Ashensorë të shpejtësive të larta do të sigurojnë lidhjet mes ndërtesave në faqen e rrëpirës marsiane, që do të njihen si “makro-ndërtesa”.

Ndërsa trena të lehtë dhe autobuzë do të lëvizin në rrugët e shtruara për transportin ndër-qytetar.

Një fushë e gjerë në majë të rrëpirës do t’i dedikohet impjanteve prodhuese të fasonerisë, prodhimit të ushqimit dhe gjenerimit të rrymës elektrike, të cilat do të operohen kryesisht nga robotë.

“Kultivimi i të mbjellave do të vazhdojë të jetë burimi kryesor i ushqimit, duke përbërë 50 përqind të dietës njerëzore”, konkludon ABIBOO, duke shtuar se burimi kryesor i ushqimit për banorët e Nüëa do të jenë mikro-algat.

Lugina do të ketë hapësirë për zona kultivimi të mbjellash, kafshësh dhe insektesh.

Në prezantim shtohet

“Kafshët tradicionale të fermave si derrat, pulat e peshku do të jenë prezentë, por do të përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të dietës së banorëve. Kafshë të tilla do të shërbejnë vetëm si vlerë mbështetëse psikologjike”.

Kjo e fundit do të thotë se kafshët do të jetë aty, por jo për të ngrënë.

ABIBOO thotë se rrjedhimisht do të nisë dhe transporti i rregullt Tokë-Mars në intervale afro 26 mujore, ku një rrugë do të zgjasë mes një deri në tre muaj.

Bileta fillestare për një banor të mundshëm të Marsit do të kushtojë rreth  $300,000, ku do të përfshihet udhëtimi vetëm-vajtje në planet, njësi rezidenciale 25 deri në 35 m2 per person, akses na ambjentet e përbashkëta, mbështetje jetësore për ushqim e shërbime, si dhe një kontratë pune që do të caktohet nga qyteti.

Projekti i mësipërm ishte një nga finalistët e kërkuar nga The Mars Society’ (Shoqëria e Marsit) për dizenjimin e kolonisë.

Bashkë me 19 grupe të tjera të Mars Society, projekti do të prezantohet në lirin e ri “Qytet-shtetet e Marsit: Shoqëritë e Botës së re”.

FOTO GALERI
7/9
Projekti i mësipërm ishte një nga finalistët e kërkuar nga ‘The Mars Society’ (Shoqëria e Marsit) për dizenjimin e kolonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA