Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin e tyre për, siç thanë, agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës.
Deklarata vjen pas raporteve se Rusia ka rritur praninë e trupave të saj në kufi me Ukrainën dhe në Krime.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi në telefon me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, bisedoi me udhëheqës të lartë ushtarakë në Rusi dhe Ukrainë, njoftuan Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni.
Blinken riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën “përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë” dhe “shprehu shqetësim në lidhje me situatën e sigurisë në lindje të Ukrainës”, tha Departamenti i Shtetit.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, John Kirby, tha se Pentagoni është në dijeni për raportet e ushtrisë ukrainase, që flasin për lëvizjen e trupave ruse më pranë kufijve të Ukrainës.
“Veprimet destabilizuese të Rusisë i minojnë synimet për qetësim të situatës, që janë arritur përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në korrik të vitit të kaluar”, tha Kirby, duke iu referuar një armëpushimi të ndërmjetësuar nga OSBE-ja.
“Jemi duke i diskutuar me aleatët e NATO-s shqetësimet tona për këtë rritje të tensioneve dhe shkelje të armëpushimit”, tha Kirby.
Misioni i Posaçëm i Monitorimit i OSBE-së në Ukrainë raportoi për qindra shkelje të armëpushimit në ditët e fundit.
Më 26 mars, katër ushtarë ukrainas u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në pjesën lindore të vendit.
Ushtria ukrainase tha se ushtarët e saj u qëlluan me mortaja dhe fajësoi trupat ruse për sulmin. Rusia mohon se ka prani ushtarake në lindje të Ukrainës, ku i mbështet forcat separatiste.
Konflikti i vazhdueshëm midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë.
Top Channel