SHBA/ Vaksinat po funksionojnë, por shtohen infektimet tek ata që nuk janë imunizuar

31/03/2021 11:28

Në Shtetet e Bashkuara, numrin më të madh të rasteve të reja me Covid 19 e përbëjnë sot personat nën 60 vjeç, dhe ky konsiderohet një sukses për vaksinat që i janë administruar më herët moshave më të thyera.

Infektimet në SHBA po shtohen sërish pas një uljeje dhe pastaj stabilizimi që patën për javë të tëra. Krahasuar me javën që shkoi, ato janë 10% më shumë.

Megjithatë mjekët thonë se pacientët që mbërrijnë janë më të rinj dhe më pak të sëmurë. Padyshim, për disa prej tyre ende është i nevojshëm shtrimi në spital, por shifrat nuk janë më astronomike si një vit më parë, thotë Dr. Frederick Davis, i spitalit hebre të Long Island. Sipas Davis, rastet e Covid 19 tani janë kryesisht mesatare. Bëhet fjalë për grupmosha më të reja të cilat ende nuk janë vaksinuar, shprehet mjeku.

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 73% e personave mbi 65 vjeç kanë marrë tashmë të paktën një dozë vaksine dhe thuajse gjysma janë vaksinuar plotësisht. Të hënën, rregullatorët raportuan se në kushtet e botës reale e jo ato laboratorike, vaksinat e Pfizer-BioNTech dhe Moderna janë 90% të efektshme.

Top Channel