Një oficer i marinës italiane është arrestuar gjatë aktit të dorëzimit të dokumenteve sekrete një zyrtari ushtarak rus, njoftoi policia italiane.
Shtetasi italian po i shiste këto dokumente. Policia ka ndaluar të dy personat, por vetëm shtetasi italian është arrestuar nën dyshimin e krimeve të rënda, përkatësisht të spiunimit dhe cenimit të sigurisë shtetërore. Shtetasi rus, për të cilin thuhet se ka punuar në Ambasadën e Rusisë në Itali, pritet të dëbohet nga vendi. Ai nuk është arrestuar pasi gëzon imunitet diplomatik, tha deklarata e policisë.
Ministria e Jashtme e Italisë ka thirrur në bisedë ambasadorin rus në Itali, Sergei Razov. Policia ushtarake e zhvilloi aksionin “gjatë një takimi të fshehtë midis këtyre dy personave, duke i kapur menjëherë pas transferimit të një dokumenti nga oficeri italian në këmbim të një shume parash“, thuhet në deklaratën e policisë.
Gazeta italiane “Corriere della Sera” raporton se oficeri italian mund të ketë dorëzuar sekrete të NATO-s, bazuar në dokumentet e konfiskuara në banesën e tij nga ana e policisë. Arrestimi vjen pas tensioneve të rritura midis Moskës dhe Perëndimit, veçanërisht për burgosjen e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, një veprim i cili nxiti zyrtarët e BE-së të vendosin sanksione kundër zyrtarëve të lartë rusë.
Top Channel