Gruaja që vrau me makinë 13-vjeçarin kapet pas ndjekjes nga shoferët dëshmitarë (fotot)

31/03/2021 18:17

Një grua që vrau me makinë një djalë 13-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja është kapur pasi dy dëshmitarë e ndoqën atë për rreth 2 km në Britani.

29 vjecarja Mahwise Rani, 29, po drejtonte me shpejtësi me makinën e saj VW Polo kur goditi për vdekje të voglin Mason O’Grady, në një kryqëzim këmbësorësh me semafor në Birmingham, gati një vit më parë.

Fëmija u ngrit në ajër rreth 20 metra nga goditja dhe u shpall i vdekur në spitalin e fëmijëve në Birmingham.

Dje në gjykatë u tha se Rani po drejtonte me shpejtësi 90 km/orë në një zonë me limit prej 60 km/orë, kur goditi Mason i cili po kalonte në vijat e bardha me familjen e tij.

Ajo nuk kishte tentuar të frenonte dhe vazhdoi të drejtonte për afro 2 km, megjithse xhami i parmë ishte dëmtuar nga përplasja. Por dy shoferë që dëshmuan ngjarjen, e ndoqën atë dhe arritën ta ndalonin Rani-n deri në ardhjen e policisë.

E akuzuara pranoi vrasjen nga drejtimi i pakujdesshëm dhe u burgos për tre vjet nga gjykata e Birmingham. Pas mbylljes së çështjes, familja e Mason i bënte homazh adoleshentit tragjik të ndarë nga jeta, duke e quajtur “fëmijë me zemër floriri”.

Nëna e tij Hayley tha: “Ne si familje duam të falenderojmë shërbimet e emergjencës që na erdhën në ndihmë mbrëmjen e aksidentit dhe tentuan me të gjitha forcat të shpëtonin jetën e Mason. Humbja e tij ka lënë një vrimë të madhe mes nesh, pasi ishte një shpirt i dashur, i adhuruar nga të gjithë. Ne ndjejmë dhimbjen e humbjes së tij dhe nuk e besojmë se është bërë një vit nga ndarja”.

Rreshteri i policisë Alan Hands, shtoi: “Ne të gjithë e ndjejmë dhimbjen e humbjes së Mason, një djalë i ri me të gjithë jetën e tij përpara. Rani po drejtonte mbi normat e shpejtësisë kur goditi Mason dhe nuk bëri asgjë për ta ndihmuar. Ishte vetëm falë reagimit fantastik të shoferëve në vendngjarje që ajo u detyrua të ndalonte. Veprimi i tyre tregoi një frymë të pabesueshme komunitare dhe ndihmuan që shkelësja të jetë tani prapa hekurave”.

FOTO GALERI
2/10
Shoferja 29 vjecare Mahwise Rani u largua nga vendngjarja por u kap pasi dy dëshmitarë e ndoqën atë për rreth 2 km

Top Channel