Greqi, rekord negativ i dyfishtë/ Numri i rasteve ditore 4340 që në nisje të pandemisë, rriten edhe të intubuarit

31/03/2021 00:50

Rekord i dyfishtë negativ është regjistruar gjatë së martës në Greqi pasi prej 26 shkurtit të vitit të kaluar, dita që shënoi fillimin e pandemisë, për herë të parë numri i rasteve ditore me Covid -19 ka shkuar në 4340, prej të cilave 2.097 në Athinë dhe 535 në Selanik.

Ndërsa vendi numëron tashmë mbi 260.000 të prekur edhe numri i të intubuarve për herë të parë ka shkuar në 741 , më i larti që është regjistruar ndonjëherë.

Sa i përket viktimave, me 72 humbjet e jetës në 24 orët e fundit Greqia tashmë ka kaluar kufirin e 8000 viktimave nga virusi vdekjeprurës.
Paradoks i gjendjes së sotme është fakti se orët e fundit komisioni i specialistëve të pandemisë dhe zyrtarë të qeverisë, kanë hedhur në diskutim plane për lehtësimin e masave, që parashikojnë në fillim hapjen e bizneseve të vogla, më pas të shkollave e në fund të hotelerive e restoranteve për të pritur turistët e parë.

Fakt pozitiv është që rezultatet e testeve laboratorike të Rrjetit Kombëtar të Epidemiologjisë për mbikëqyrjen e virusit SARS-CoV-2 në ujërat e zeza urbane, tregojnë se në shumicën e qyteteve barra virale ka filluar të bjerë, përveç Selanikut ku përsëri shënohet një rritje e saj. Ndërkohë organet shëndetsore janë alarmuar pasditen e së martës pasi në një lagje të Athinës, një grua 65 vjeç që është vaksinuar me vaksinën e kompanisë AstraZeneca, gjysëm ore më vonë ka humbur jetën.

Për rastin në fjalë ka filluar menjëherë ekspertizën një komision mjeko-ligjor që do të nxjerrë edhe konkluzionin e shkaqeve të vdekjes.

Top Channel