Në Itali për Pashkë udhëtohet jashtë vendit por jo mes rajoneve, operatorët: “Tallje për turizmin”

30/03/2021 18:43

Operatorët italianë hidhnin poshtë dje rregullat e fundit të qeverisë sipas të cilave lejohet udhëtimi i qytetarëve jashtë vendit, por ndalohet zhvendosja e tyre nga një rajon në tjetrin brenda Italisë.

“Hotelet e të gjithë sistemit turistik janë të mbyllur prej muajsh prej ndalimit të lëvizjes nga një rajon në tjetrin. Ne nuk e kuptojmë sesi është e mundur të autorizohen udhëtimet përtej kufirit dhe të ndalohen ato brenda Italisë”, tha dje Bernabò Bocca, kreu i federatës turistike  Federalberghi.

Bocca shtonte më tej: “Nëse është e vërtetë që personat e vaksinuar ose me rezultat negativ tamponi nuk kanë rrezik përhapjeje, atëherë kjo logjikë duhet të aplikohet edhe në Itali, siç mund të jetë për frekuentimin e rezorteve natyrale malore apo panairet”. Grupi Federalberghi kërkon që qeveria të çlirojë me urgjencë personat me çertifikata sigurie shëndetësore.

Në të njëjtin mendim ishte kreu i grupit të deputetëve të partisë së djathtë ‘Fratelli d’Italia’, Francesco Lollobrigida. “Për Pashkë është e mundur të udhëtohet jashtë vendit por jo brenda Italisë. Kjo është paradoksale kur sistemi italian i turizmit është i mbyllur prej muajsh nga kufizime absurde, ne mund të dalim jashtë shtetit për të kaluar pushime në vende të tjera”.

Lollobrigida shtonte: “Qeveria duhet të heqë mbylljen mes rajoneve italiane, siç kërkohet nga Federalberghi. Fratelli d’Italia do të jetë zëdhënëse e kësaj kërkese. /repubblica.it/

Top Channel