Ndryshimi i poleve të Tokës/ Zhduku neandertalasit, mund të ndodhë sërish 

30/03/2021 11:38

Ndryshimi i poleve të Tokës, së bashku me një dëmtim të përkohshëm të fushës magnetike të saj rreth 42,000 vjet më parë, mund të ketë qenë shkaku i një zinxhiri ndryshimesh mjedisore, stuhish diellore dhe sipas një studimi të ri, edhe të zhdukjes së Neandertalasve.  

Fusha magnetike e Tokës na mbron, duke vepruar si një mburojë kundër erës diellore, një rrymë  grimcash të ngarkuara dhe rrezatimit që vërshon nga Dielli. Megjithatë, fusha gjeomagnetike nuk është e qëndrueshme në forcë dhe drejtim, dhe ka aftësinë të ndryshojë ose të përmbyset. Mendohet se përpara 42 mijë vjetësh, gjatë atij që njihet si Ekskursioni Laschamp, polet bënë pikërisht këtë, ndryshuan vend, por shkencëtarët nuk ishin të sigurt sesi kishte ndikuar kjo mbi planetin.

Tani, një ekip studiuesish nga Universiteti i Sidneit i Uellsit të Ri Jugor dhe Muzeu i Australisë Jugore thonë se kjo përmbysje, së bashku me ndryshimin e erërave diellore, mund të ketë shkaktuar një varg problemesh klimatike që ndikuan tek mjedisi dhe mendohet se sollën deri dhe zhdukjen e njerëzve të Neandertalit.

Në studimin e publikuar nga revista Science ekspertët druhen për më tepër se disa lëvizje të shpejta në polin magnetik verior që po vihen re në Hemisferën Veriore, dhe dobësimi I fushës magnetike të tokës me gati 9% gjatë 170 viteve të fundit, sinjalizojnë se mund të ketë një tjetër ndryshim të poleve dhe pasojat do të ishin të mëdha për shoqërinë moderne.

Top Channel