Çmendet moti në Angli/ Nxehtë si në Ibiza, pastaj borë 

30/03/2021 11:52

Britanikët kanë vërshuar në plazhe për të shijuar temperaturat e larta rekord të muajit mars teksa kufizimet e koronavirusit u zbutën në mbarë vendin.

Jugu i mbretërisë së bashkuar do të jetë shumë i ngrohtë, thotë zyra e metereologjisë e në disa zona të tij termometri mund të shënojë deri në 24 gradë Celsius. Po aq të ngrohtë sa në Ibiza, shkruajnë mediat vendase. Kushte të tilla atmosferike koinciduan me zbutjen e izolimit të hënën, dhe fundin e urdhrit që njerëzit të qëndrojnë brenda.

Tani grupe deri në gjashtë persona apo dy familje mund të takohen në ambiente të hapura. Anglia ka qenë mjaft e suksesshme me procesin e vaksinimit, dhe shifrat e pandemisë atje janë në rënie, çka e shtyu qeverinë të zbusë masat, edhe pse sërish paralajmëron për kujdes dhe zbatim te rregullave të distancimit social.

Temperaturat e marsit nuk kanë shkuar mbi 24 që prej vitit 1968, kur në Mepal të Cambridgeshire u shënuan 25.6C. Por e gjithë kjo mund të ndryshojë në fundjavën e Pashkëve. Metereologët parashikojnë mbërritjen e një fronti të ftohtë nga veriu, i cili do t’i ulë temperaturat sërish, e në disa zona mund të sjellë dëborë dhe ngrica gjatë natës. Fundjava më e ftohtë e pashkës që prej fillimit të regjistrimeve në këtë vend u shënua në 2013-tën, kur në Aberdeenshire temperatura arriti në minus 12.5C.

Top Channel