Jetoi 5 vite me fëmijët e saj në jetimore, djemtë falenderojnë nënën që nuk i braktisi kurrë pavarësisht problemeve të mëdha ekonomike

27/03/2021 23:38

Problemet ekonomike, debatet, konfliktet, ose paragjykimet shpesh herë janë faktorët që çojnë një familje të ndahet pavarësisht dashurisë që kanë për njëri- tjetrin.

Programi “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e sotme solli në ekranet tona një ndër historitë më prekëse, por gjithashtu dhe një nga më frymëzueset. Kjo ishte historia e një nëne të fortë, historia e Drandes që pavarësisht çdo pengese nuk i braktisi kurrë dy djemtë e saj.

Dranden jeta e kishte vendosur përballë shumë vështirësive që kur kishte qenë fëmijë, pasi prindërit e saj kishin ndërruar jetë dhe ishte detyruar që të jetonte në jetimore. Pavarësisht pengesave të vazhdueshme, ajo ia kishte dalë të krijonte një familje dhe kishte sjellë në jetë dy djem, Maskimilianin dhe Kristianin. Fatkeqësisht martesa e saj nuk kishte zgjatur shumë, pasi ish-bashkëshorti ishte ndikuar nga paragjykimet e njerëzve për Dranden lidhur me faktin që ishte rritur jetime. Për këtë arsye ai kishte vendosur që ta braktiste atë dhe djemtë duke u larguar përgjithmonë nga jeta e tyre.

Drandja për shkak të problemeve të mëdha ekonomike ishte detyruar që dy djemtë e saj t’i dërgonte në jetimore. Ndryshe nga rastet e tjera, Drandja kishte vendosur që të mos i braktiste djemtë dhe i kishte kërkuar jetimores që dhe ajo të jetonte me ta për pothuajse 5 vite. Kalvari i vuajtjeve për familjen e Drandes nuk kishte mbaruar këtu, pasi për vite me rradhë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, ata ishin detyruar të jetonin dhe në një vagon të braktisur treni.

Sot, në programin “Dua të të bëj të lumtur” kishin ardhur në studio dy djemtë e Drandes, Maksimiliani dhe Kristiani të cilët rrëfyen historinë e dhimbshme të jetës së tyre, por qëllimi kryesor ishte që të bënin të lumtur dhe të falenderonin, nënën heroinë që sakrifikoi veten e saj vetëm që të mos i braktiste kurrë.

“Mami të kemi thirrur këtu për të të falenderuar për çdo sakrificë që ke bërë për ne, por ajo që duam të të themi është që të vazhdosh jetën tënde. Ne e dimë shumë mirë se sa ke vuajtur ti, prandaj boll mendove për ne, ne të dy do t’ja dalim, që sot e tutje jeto jetën tënde. Ne do jemi gjithmonë krah teje.” ,- ishte mesazhi prekës dy djemve për nënën e tyre, Dranden.

Nga ana tjetër Drandja në studio rrëfeu se sa jetë të vështirë kishin kaluar ajo dhe djemtë e saj dhe se pavarësisht çdo pengese ata ia kishin dalë mbanë duke qenë gjithmonë të bashkuar. Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” në bashkëpunim me rrjetin e farmacive “Ditë e natë” i ofruan mundësinë që një prej djemve tu ofronte ilaçet falas për problemin e tij shëndetësor.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel