24 marsi shënon sot 22-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin.
Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00.
Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i asaj kohe i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi të tërheqë trupat nga Kosova.
Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1200 deri 2500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe.
Janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.
Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha.
Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 persona, ndërsa mijëra të tjerë llogariten si të zhdukur. Ndërkohë forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860 mijë kosovarë.
Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende, ku 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.
Top Channel