Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka folur rreth masave të marra, teksa jemi një ditë përpara nisjes së sezonit shkollor 2026-2027.
Ai është ndalur tek masat e sigurisë, teksa po ashtu këtë herë do të bashkëpunojnë me AKU-në për ushqimet që do tu ofrohen fëmijëve.
“Në krye të të gjitha shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla do të jenë shefat e komisariateve, të cilët do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e shërbimeve në territor.
Kam kërkuar që këto masa të mos mbeten vetëm në planifikim, por të kontrollohen dhe të zbatohen në terren. Përgjegjësia është konkrete dhe do të jetë e qartë për çdo drejtues vendor të Policisë.
Në këtë kuadër, kam udhëzuar specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe atyre Operacionalë në të 12 drejtoritë vendore të Policisë, që të organizojnë kontrolle me intensitet të lartë, si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë, me fokus identifikimin dhe ndalimin, me forcën e ligjit, të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore, të bëjë nxënësit pjesë të veprimtarive kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesë atyre sende të tjera të kundërligjshme dhe me pasoja për jetën dhe shëndetin.
Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe sigurisë rrugore pranë shkollave, për mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes së tyre në fillim dhe në mbarim të orarit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë.
Rol të rëndësishëm në masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor ka edhe ndërgjegjësimi.
Në këtë drejtim, strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike dhe të Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në shkolla, me orë ndërgjegjësuese për rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike në shkolla dhe në hapësirën digjitale, për sigurinë rrugore, si dhe për reduktimin e përdorimit të drogës, duhanit dhe alkoolit.
Gjithashtu, në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, po bashkëpunohet intensivisht me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore në të gjitha bizneset që operojnë pranë shkollave.
Do zhvillojmë kontrolle periodike në këto subjekte, për të verifikuar jo vetëm formalitetin e ushtrimit të aktivitetit të tyre ekonomik, por edhe përbërjen dhe skadencën e produkteve që konsumojnë nxënësit, si dhe kushtet higjieno-sanitare ku mbahen dhe tregtohen këto produkte.
Në këtë sipërmarrje, rol të rëndësishëm luajnë edhe oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit dhe psikologët. Ata janë ura jonë e drejtpërdrejtë e lidhjes me përditshmërinë në shkollë dhe një pikë e rëndësishme kontakti për evidentimin në kohë të problematikave.
Në kuadër të projektit Smart City, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente, të cilat rrisin kapacitetet tona për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.
Teknologjia na mundëson të jemi më të shpejtë në evidentimin e problematikave, më efikasë në reagim dhe më pranë qytetarëve, aty ku prania dhe ndërhyrja jonë kërkohet“, tha Hita.
Top Channel