Qeveria duket se do të tërhiqet nga ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor lidhur me ndërhyrjet për sigurimin e detyrueshëm të mjetit.
Sipas projektligjit, pas përfundimit të vlefshmërisë së siguracionit, drejtuesit që nuk e rinovonin atë brenda 30 ditëve atë do të gjobiteshin 10 deri në 40 mijë lekë nga autoritetet.
Kreu i Drejtorisë së Transporteve Blendi Gonxhe deklaroi se ndryshimet për përcaktimin e afatit vijnë pas kërkesave të shoqatës së Siguruesve, por pranoi se ka paqartësi të mëdha dhe nëse shikohet e arsyeshme mund të hiqen tërësisht nga drafti.
“Janë marrë parasysh disa nga propozimet e bëra nga Shoqata e Siguruesve, kanë dalë pasi ne e kemi diskutuar materialin. Ne mendojmë se këto dy pika sjellin përsëritje normash. Ka një përplasje me akte të tjera, psh Qendra e Informacionit krijohet nga shoqëritë e sigurimit dhe administrohet nga AMF që përcakton rregullat e këtij sistemi.
Aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave do të binin ndesh, nuk mund të ndërhysh në kompetencat e AMF. Pra kemi një përsëritje normash. Kemi përplasje me afatin e gjobës, në projektligj është 30 ditë, në ligjin e vjetër është 14. Kush do prevalojë mbi këto 3 afate? Mjafton të mbetet Kodi Rrugor siç është dhe pika 6.1 6.2 nuk do të ishin të nevojshme,” Blendi Gonxhe, drejtor i Drejtorisë së Transporteve.
Deputetët e komisioneve kanë kërkuar një përcaktim të qartë të këtij ndryshimi lidhur me afatet e gjobëvënies.
“Si garantohet që të mos kemi një gjobë automatike kur po ti referohemi dhe shtesës së nenit 6 fraksion 2 thotë se Qendra e Informacionit njofton menjëherë organet kompetente mbi mjetet e pasiguruara? Ndërkohë që një mjet i pasiguruar që nuk qarkullon nuk ka nevojë dhe nuk duhet të aplikohet asnjë gjobë,” Senida Mesi, deputete PS.
Top Channel