Sezoni turistik në prag, pala greke zgjat orarin për kalimet në pikën kufitare të Qafë Botës
Dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç janë mbledhur para Bashkisë së Klosit, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e pushtetit vendor për pezullimin e punimeve.
Fillimisht protesta u shoqërua me tensione, ku banorët kërkuan të takonin kryetaren e bashkisë, Valbona Kola, por u përballën me bllokimin e hyrjes nga Policia Bashkiake.
Por situata u përshkallëzua pasi banorët u futen forcërisht në ambientet e Bashkisë Klos, ku më pas është dashur edhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit për të qetësuar situatën.
Pas insistimit të banorëve kryebashkiakja Valbona Kola bëri një takim me banorët e fshatrave të cilët kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it.
Kryetarja e Bashkisë Valbona Kola u shpreh se Bashkia Klos nuk ka mundësi ligjore për ta ndalur investimin, pasi është vënë para një fakti të kryer. Ajo u shpreh se përgjegjësia bie tek ish-administratës së djathtë që ka drejtuar bashkinë e Klosit deri në vitin 2019.
Administrata aktuale ka paraqitur një kontratë qiraje të firmosur në shtator të vitit 2018 nga ish-kryetari i bashkisë së Klosit Basir Çupa, i cili kishte firmosur lejen e dhënies me një afat 10-vjeçar të një sipërfaqeje pyjore në përdorim të kompanisë që po ndërton hidrocentralin.
Sipas dokumenteve të bëra publike, qiraja hyn në fuqi nga momenti i pajisjes së subjektit me leje ndërtimi, ndërsa mendimi pozitiv për heqjen nga fondi pyjor është dhënë në vitin 2019 nga Këshilli Bashkiak.
Banorët protestues i qëndruan vendimit për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it, duke theksuar se projekti kërcënon burimet ujore për vaditje, si dhe do të sjellë dëme të parikuperueshme për ekosistemin dhe natyrën e zonës.
“Kemi kërkuar mbështetje nga IKMT e Dibrës, pasi kemi mungesë të punonjësve në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Ata sot janë në terren. Unë e di që Kurdaria është hambari i bujqësisë, ndaj jam në krahun tuaj. Punimet për HEC-in janë aktualisht të pezulluara nga kompania,” premtoi kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola para banorëve.
Ndërtimi i HEC-it Doma në lumin e Lusës në njësinë administrative Suç të Klosit, ka sjellë përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”.
Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë. Banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike. Situata është përshkallëzuar javët e fundit, ku ka pasur përplasjet fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë. Në qëndrime të mëparshme, kompania ndërtuese deklaron se gjurma e HEC-it ndodhet poshtë zonës së banuar dhe nuk prek drejtpërdrejt interesat e banorëve për vaditje.
Top Channel