Komisioneri për zgjerimin uron Kosovën për qeverinë, rikujton dialogun

23/03/2021 12:16

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke rikujtuar se dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe.

Pres që të punoj së bashku me ju për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane dhe vazhdimin e luftës kundër Covid 19”, ka shkruar në rrjetin social Twitter, Varhelyi.

BE-ja pret që qeveria e re e Kosovës të vazhdojë procesin e reformave, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Po ashtu pret që të vazhdohet edhe përpjekja për të ngadalësuar përhapjen e virusit Covid 19. Në këtë drejtim, në BE, disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën, por kjo ndihmë, deri tani, nuk ka përfshirë edhe dhënien e një sasie të dozave të vaksinave, siç kishte premtuar BE-ja.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë se “BE-ja vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë” dhe përmendin ndihmën materiale dhe financiare që kanë dhënë deri më tash për përballje me pandeminë. Sa i takon dialogut me Serbinë, në BE presin që ai të vazhdojë sa më parë, pasi tani është formuar qeveria e re në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Pro përbërjes së kabinetit të ri qeveritar votuan 67 deputetë ndërsa 30 ishin kundër.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA