Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës procedurat e Spitalit Rajonal të Korçës për tenderin 1 milionë euro të oksigjenit spitalor.

Firma fituese dyshohet se është paracaktuar nga drejtuesit e këtij spitali. Zyrtarët e spitalit njoftuan në datën 29 janar 2021 se fitues ishte kompania Messer Albagaz. Një nga kushtet e tenderit ishte vendosja e një depozite oksigjeni 10 ditë pas shpalljes së fituesit. Por, kompania Messer e kishte vendosur këtë depozitë në mes të muajit dhjetor 2020. Pra, një muaj e gjysmë para se të shpallej fituese!

Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, në muajin dhjetor 2020, Spitali Rajonal i Korçës, ka hapur një tender me vlerë plot 1 milionë euro për blerjen e oksigjenit të lëngët dhe të gaztë. Në të njëjtën kohë, ngjitur me godinën e Senatoriumit në Korçë, brenda ambienteve të spitalit, është vendosur një depozitë për oksigjenin nga kompania Messer Albagaz. Procedurat kanë vijuar, ndërkohë fituesi është shpallur në datën 29 janar 2021. Fituesi, i të dyja loteve është kompania Messer Albagaz, e cila kishte vendosur depozitën e gazit në mes të muajit dhjetor 2020!

Në dokumentet e tenderit thuhet se “Operatori ekonomik duhet të provoje se nëse shpallet fitues, është në gjendje të sigurojë tanker oksigjeni për t’a instaluar brenda 10 ditëve nga lidhja e kontratës, pranë Autoritetetit Kontraktor. Kërkohet minimumi 1 tanker sipas nevojve aktuale të spitalit”. Por, kompania fituese (Messer Albagaz) e kishte të instaluar këtë tanker/depozitë para se të shpallej fitues!
Hartuesi i dokumenteve të tenderit është z.Bledar Hoxhallari, jurist i Spitalit Rajonal të Korçës. Emisioni “Fiks Fare” kontaktoi me juristin, duke i kërkuar se përse kompania fituese ka vendosur depozitën para se të fitojë tenderin. Ai tha se vetëm ka hartuar dokumentet e tenderit të ri, ndërsa nuk ka asnjë informacion për vendosjen e një depozite të tillë. “Nuk kam dijeni fare për atë depozitë. Nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes. Edhe sot e kësaj dite nuk kam informacion nëse ka apo jo një depozitë të tillë brenda ambienteve të Spitalit të Korçës” thotë z.Hoxhallari.

Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare kontaktoi me nëndrjetorin ekonomik të Spitalit Rajonal të Korçës. Ai pranoi se është e vërtetë se në afërsi të Senatoriumit ka një depozitë, por atë e ka vendosur firma që kishte fituar tenderin e kaluar. Gazetarët e pyesin përse është vendosur në përfundim të kontratës, ndërsa nëndrejtori pohon se është vendosur për të përmbushur nevojat e spitalit. Zyrtari mohoi që të ketë pasur një shtesë kontrate, ndërsa pyetjes se përse u vendos kusht në tenderin e ri ai tha se “depozita do të hiqej nga firma aktuale nëse do të shpallej fituese një firmë tjetër!”.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA