Britania e madhe të martën shënoi përvjetorin e parë të izolimit të saj të parë për shkak të koronavirusit, me një minutë heshtje në nder të më shumë se 126 mijë personave që humbën jetën, një nga bilancet më të rënda në botë.
Dita kombëtare e reflektimit, shënohet edhe me një minutë heshtje në parlament, e ndjekur nga kambanat e kishës që do të bien në nder të viktimave dhe punonjësve të vijës së parë të frontit.
Në mbrëmje, publiku ndërkohë do të dalë në portat e shtëpive, me drita e qirinj në duar. Kryeministri Boris Johnson, urdhëroi izolimin më 23 mars të vitit të kaluar, duke mbyllur shkollat, dyqanet dhe shërbimet e duke ndaluar edhe tubimet e më shumë se dy personave. Fillimisht, izolimi duhej të zgjaste tre javë. Një vit më vonë, Britania është në fazën e saj të tretë të kufizimeve, por gradualisht po i zbut ato falë fushatës masive të vaksinimit. Sidoqoftë, Johnson paralajmëroi se një valë e tretë që tani ka përfshirë Evropën do të jetë e pamundur të mos arrijë brigjet e vendit ndërkohë që ai ka kërkuar reflektim për humbjet e vitit të kaluar. Edhe princi Charles, në emër të familjes mbretërore, ka ndërhyrë në këtë përvjetor.
“Cilido qoftë besimi apo filozofia jonë, le të marrim një çast, së bashku, për të kujtuar ato jetë që janë humbur dhe të pranojmë dhimbjen e pamatë të ndarjes me ta”, u shpreh Charles.
Kjo është konsideruar një ditë reflektimi në Britaninë e Madhe, në një kohë kur qeveria e Johnson po i reziston thirrjeve për të nisur një hetim publik për të zbuluar përse Britania u godit aq rëndë nga pandemia në fillimet e saj.
Top Channel