Kosova është mbuluar sërish nga bora në këtë dimër të vonë, dhe reshjet, sipas zyrës meteorologjike do të vijojnë deri të martën, me intensitet të lartë, ndërkohë që më pas, do të ketë një përmirësim të situatës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti i paqëndrueshëm dhe me temperatura nën vlerat e mesatareve do të vazhdojë deri ditën e enjte ndërsa më pas do të ketë rritje graduale në fushat termike.
Bora e cila po bie, aty ku ka mbulesë të tërësishme, do të jetë në favor të kulturave bimore, pasi që do të jetë një mbrojte nga ngricat që do të jenë prezent gjatë kësaj jave. Sa i përket situatës biometeorologjike ajo mbetet e pafavorshme për personat me sëmundje kronike, ndërsa cilësia e ajrit paraqitet relativisht e mirë për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të këtyre elementeve meteorologjike.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-11 gradë Celsius. Ndonëse jemi futur zyrtarisht në stinën e pranverës me 20 mars, ky mot po i ngjan një dimri të hershëm apo pranvere të vonuar. Kjo situatë e parashikuar meteorologjike sidoqoftë nuk habit aspak sepse bazuar në statistikat e institutit hidrometeorologjik të Kosovës, reshje bore në vend janë regjistruar më parë edhe në prill madje.
Top Channel