Ekspertët ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore letër Ramës: Ndaloni punimet në Bypass-in e Gjirokastrës, mund t’i kushtojë statusin

22/03/2021 11:19

Një grup ekspertësh ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore të cilët kanë punuar në Gjirokastër i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të ndalojë ndërtimin e Bypass-it, duke theksuar se nëse ky projekt përfundon, mund t’i kushtojë Gjirokastrës statusin e saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Grupi thotë se Shqipëria duhet të adoptojë një plan mobiliteti për Gjirokastrën përpara implementimit të çdo projekti, plan ky i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga UNESCO. Gjithashtu, me ligj kërkohet një Vlerësim i Ndikimit Mjedisor si dhe një Vlerësim i Ndikimit në Trashëgimisë.

Humbja e statusit të UNESCO-s, mund të ishte një goditje e rëndë ndaj turizmit kulturor shqiptar në zhvillim, dhe mund të njolloste reputacionin e fituar me vështirësi të Shqipërisë si një partner ndërkombëtar i besueshëm.

Grupi është gjithashtu i bindur se banorët e Gjirokastrës nuk do ta aprovonin rrugën nëse do të ishin plotësisht të informuar në lidhje me pasojat e saj.

Letra është iniciuar prej Stephan Doempke, ish-kordinator programi i UNESCO/UNDP mbi tashëgiminë kulturore në Shqipëri, i cili ka jetuar katër vite në Gjirokastër, ndërsa tani është kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 180 organizatave jo qeveritare, i cili monitoron Vendet e Trashëgimisë Botërore dhe raporton në UNESCO.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel