Ekzekutohet anëtari i bandës së Durrësit, Mond Çekiçi/ Atentatorët të kamufluar i prenë rrugën, makina e tyre gjendet e djegur

20/03/2021 09:11

Mond Çekiçi anëtar i bandës së Durrësit, është vrarë sot më armë zjarri mbrapa drejtorisë Arsimore në Durrës, brenda makinës së tij, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Mësohet se ekzekutorët e tij kanë qenë të veshur me veshje ushtarake, ndërsa policia njofton se në Sukth është gjetur i djegur një mjet tip “Benz”, me targa të vjedhura, që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:40 të mëngjesit, ndërkohë që  policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës.

Mond Çekiçi, 40 vjeç u ekzekutua me breshëri plumbash, 42 të tillë, në makinën e tij dhe me të ka qenë edhe shoferi i tij i cili po jep dëshminë e tij në polici.

Mësohet se një automjet tjetër u ka prerë rrugën, dhe shoferi i Edmondit doli për të pyetur se çfarë ka , ndërkohë që një nga personat në mjetin tjetër e ka qëlluar për vdekje Edmondin duke zbrazur dy karikatorë plumbash dhe janë larguar me një mjet tip Benz me targa të vjedhura në Tiranë i cili më vonë u gjet i djegur në Katund Sukth, Durrës.

Top Channel mëson se pak metra larg vendit të krimit viktima kishte ndërtuar një objekt 3-katësh, pranë Drejtorisë Arsimore të cilën dhe e kishte legalizuar.

Kush është Edmond Koçi, apo Mond Çekiçi

Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe “Mond Çekiçi”, nuk është një emër i panjohur.

Policia e Durrësit e ka konsideruar si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.

Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”.

“Mond Çekiçi”, shoqërohej me Emiljano Shullazin “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë.

Dyshohet se shkak për vrasjen e Koçit është bërë e kaluara e tij.

FOTO GALERI
2/17
Viktima Mond Çekiçi

Top Channel