Kosovë, shifrat zyrtare/ Qindra arsimtarë, personel e nxënës me Covid 19

18/03/2021 16:29

Këtë muaj, 373 arsimtarë, nxënës dhe personel nëpër shkolla në gjithë territorin e Kosovës, kanë rezultuar pozitivë në koronavirus, njoftuan zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Kosovë.

Nga kjo shifër, 189 janë nxënës të infektuar, 151 arsimtarë dhe 33 anëtarë të personelit nëpër shkolla. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie sqaruan se vetëm javën e kaluar janë kryer 170 testime, dhe nga to 130 rezultate kanë qenë pozitive.

Pikërisht për shkak të rritjes se numrit të personave të infektuar në sistemin arsimor, ministria  ka propozuar që në këto institucione të ndërpritet procesi mësimor për një javë, nga data 22 mars. Këtë propozim,  Ministria e Arsimit ia ka dërguar asaj të shëndetësisë, në mënyrë që të vlerësohet gjendja epidemiologjike dhe të vendoset mbi mënyrat e zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim.Vendimi nga qeveria në detyrë e Kosovës, pritet të merret shumë shpejt.

Që nga marsi i vitit të kaluar, në Kosovë janë regjistruar mbi 79.000 infektime nga Covid 19. Prej tyre, 1.731 pacientë kanë ndërruar jetë ndërsa gati 66 mijë janë shëruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA