Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë dritën jeshile krijimit të institucioneve të reja, duke certifikuar rezultatin zgjedhor.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave dhe për këtë do t’i ketë 58 deputetë, ndërsa partia e dytë është PDK-ja me 19 deputetë, pasuar nga LDK-ja 15, Lista Serbe 10 dhe AAK-ja 8 deputetë.
Nga këto parti, ndryshime në emra të deputetëve pas ankesave në PZAP ka pasur vetëm AAK-ja, në të cilën vendin e Kryediplomatës Meliza Haradinaj Stublla e ka zënë Albana Bytyqi.
Derisa përbërja ka ndryshuar tek partitë e komuniteteve joserbe.
Me vendim të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, “Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq” ka humbur ulësen në kuvend pasi e njëjta votat i kishte marrë nga komunat serbe dhe jo ato boshnjake, komunitet që përfaqëson ajo.
Në vend të saj ka hyrë, Unioni Socialdemokrat i Duda Baljes.
Me arsyetimin e njëjtë “Iniciativa Rome” ka mbetur vetëm me një ulëse në kuvend.
Kryetarja Daka u ka bërë thirrje deputetëve të legjislaturës së re që të bëjnë reformë zgjedhore.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, sipas kushtetutës brenda afatit prej 30 ditësh duhet bërë konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Top Channel