Regjisori, Robert Budina kishte shprehur dëshirën për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike, por emri i tij nuk ndodhej në listë.

Së bashku me vëllanë, Edmond Budinën, Roberti ka qenë protagonist i kauzës për mbrojtjen e teatrit, kauzë që u mbështet dhe nga opozita. Si rrjedhojë, regjisori thotë se shpreh dëshirën për t’u përfshirë në politikë, krah PD-së. “Unë nuk u futa në kauzën e Teatrit Kombëtar për të qenë përfaqësues në parlament, jo vetëm imi por dhe shumë të tjerëve ishte shumë i drejtë për të mbrojtur artin, kulturën, trashëgiminë. Për mënyrën si është bërë sistemi politik sot është shumë e vështirë që vetëm me disa vlera të çash. Në këtë sistem antivlerash që kemi krijuar një këto 30 vjet, nuk mund të jetë pasqyrë e një partie politike, por e një mentaliteti që reflektohet në partitë politike”.

Megjithatë, shton se nuk u habit që nuk u bë pjesë e listës së kandidatëve. “Nuk kisha asnjë pritshmëri, ishte një dëshirë për të dhënë një kontribut. Edhe e prisja, sepse jeta politike kërkon një angazhim përtej kauzave qytetare. Duke qenë shumë të angazhuar në kauza si ajo e teatrit, ky bashkëpunim politik mbase nuk ka qenë i plotë nga ana ime, kështu që është një vendim i pritshëm dhe nuk jam fare i surprizuar”.

Shton se e pranon këtë zgjedhje dhe konsideron si të rëndësishme “të fitojmë qytetarinë së pari”. “Ne u përpoqëm të ishim qytetarë dhe mendoja se nëse do ta kishim këtë mundësi, të përcillnim frymën tonë në parlament, por beteja nuk ka filluar ende, sepse ne aktualisht kemi një të keqe të madhe (largimi i Partisë Socialiste nga qeveria). Çështja e teatrit u braktis nga mediat dhe ne kemi pasur një mbështetës të fuqishëm, që është opozita. Me këtë bashkëpunim që kemi pasur, i kemi qëndruar besnik njëri-tjetrit. Për sa kohë që unë pranova të isha pjesë e një sistemi që voton në këtë formë, pranoj zgjedhjen që ata bënë sepse gjithsecili do të marrë përsipër përgjegjësistë  e veta”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA