Një studim i BE-së konstaton se asnjë vend tjetër në Evropë nuk është kaq i prekur nga fushatat dezinformuese të Rusisë sa Gjermania. Maas: Do të përgjigjemi me agjendë pozitive
Prej vitit 2015, Gjermania është sulmuar mbi 700 herë me fushata të qëllimshme dezinformimi nga Rusia, thuhet në raportin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Ky është një numër shumë më i lartë se, për shembull, sulmet ruse ndaj Francës, 300, Italisë 170 apo Spanjës, me 40. Situata është përshkallëzuar sidomos kohët e fundit, thuhet në raport, qe kur kritiku i Kremlinit, Aleksej Navalni, erdhi per t’u kuruar ne Berlin, vitin e kaluar.
Sulmet vijnë si nga zyrtarë ashtu edhe media pranë qeverisë. Janë akuza, artikuj të sajuar me fraza të shkëputura nga konteksti ose dhe të trilluara, thuhet në raport.
Sajesa dhe akuza
Në raport përmendet si shembull një prononcim i zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila i vuri fajin Gjermanisë për sanksionet anti-ruse. Nëpër artikuj në media, Gjermania, e cila në të njëjtën kohë paraqitet edhe si e gatshme për dialog me Rusinë, prezantohet si organizatore prapaskenash ose si marionetë mendjelehtë. Në media pro qeveritare lexon artikuj që me dokumente false dhe të sajuara duan të vërtetojnë, për shembull që gruaja e Navalnit, eshte me prejardhje gjermane, dhe se ajo instruktohet direkt nga shërbimi i fshehte i Gjermanisë. Ose ka raste, kur ndodhi të rëndomta futen në kontekste politike, si per shembull në një rast, kur policia e Berlinit i mori fëmjiët një familjeje ruse pasi i konsideronte në rrezik. Edhe ky rast u hiperbolizua në media si hakmarrje për rastin e Navalnit, siç del në pah nga raporti.
Kremlini po krijon një imazh për Gjermaninë, sikur aty janë vetëm disa zëra të paktë që dëgjohen në mesin e korit të një rusofobie irracionale, konstaton raporti.
Maas: Axhendë pozitive
Raporti i BE-së e akuzon ndër të tjera Rusinë për dyfytyrësi. Këta artikuj zakonisht nuk përkthehen në gjermanisht. Edhe në fushën diplomatike, ndërsa Rusia nga njëra anë hiqet e gatshme për dialog, nga ana tjetër i lejon vetes sulme të tilla. Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha në një konference shtypi të martën se nuk e çudit ky lajm që vjen nga Brukseli. “Kemi parë në të kaluarën një numër të madh rastesh te tilla, të cilat i trajtojmë në kuadër të mbrojtjes nga sulmet kibernetike në BE,” tha ai dhe shtoi se Gjermania do t’i përgjigjet kësaj ofensive me një “axhendë pozitive” informuese dhe sqaruese aktivitete si shembull “vitin gjerman në Rusi”.
Politikë pa fantazi?
Në një koment në të përditshmen gjermane Sueddeutsche Zeitung, Stefan Kornelius, e kritikon në këtë kontekst pafuqinë e BE-së ndaj Kremlinit. Teza e tij: Rusia është një elefant dhe nuk mund të largohet dhe nuk do të largohet nga skena gjeopolitike, prandaj lipset të trajtohet si i tillë. Ndryshe vepron BE-ja: “Ndërsa BE-ja konstaton fushata të shfrenuara dezinformuese në shumë vende të saj, Ministria e Jashtme ruse i lejon vetes të ankohet për përzierje në punët e brendshme. Politika e jashtme e Evropës ende nuk ka aq fantazi sa të dallojë potencialin e elefantëve të mëdhenj”, konstaton analisti./DW
Top Channel