Përfundon vizitën në Irak/ Papa lutet në rrënojat e Kishës: Ju mbaj në zemër

08/03/2021 12:16

Papa Françesku përfundoi të hënën vizitën e tij historike në Irak.

Presidenti irakian Barham Salih e ka shoqëruar 84-vjeçarin me tapet të kuq në aeroportin e Bagdadit. Përgjatë vizitës, të parën të një pape në histori në Irak, ai ka qenë në katër qytete irakiane, duke përfshirë Mosulin, ish-qendrën e grupit ekstremist Shteti Islamik.

Të krishterët kanë qenë mes personave të marrë në shënjestër nga shteti islamik kur ata shtinë në dorë rajonin në 2014, duke kryer abuzime të rënda me të drejtat e njeriut. Të dielën, Papa u lut mes rrënojave të kishave në Mosul, ish bastionin e shtetit islamik, para se të takohej atje me besimtarë të krishterë.

Ndërsa në një meshë të mbajtur në stadiumin e irbilit, etapa më e rëndësishme e vizitës së tij, ai tha se iraku do të mbetej në zemrën e tij, përgjithnjë.

Papa: “paqja është më e fuqishme se lufta dhe Iraku do të mbetet gjithmonë në zemrën timë

Lideri i të krishterëve të botës ka realizuar një bisedë edhe me klerikun mysliman shiit, Ayatollah Ali al-Sistani.

Me mijëra njerëz morën pjesë në meshën në Irbil, pavarësisht shqetësimeve për koronavirusin. Ekspertët e shëndetit publik kanë shprehur ndërkohë shqetësim që turmat e mëdha të njerëzve mund të ndikonin në përhapjen e koronavirusit, në vendin që po përballet rëndë me pandeminë. Papa dhe pjesëtarët e delegacionit të tij janë vaksinuar kundër koronavirusit, por kjo nuk ka ndodhur me shumicën e irakianëve.

Iraku po përballet me një tjetër valë të koronavirusit, të nxitur nga varianti i ri i virusit që është raportuar fillimisht në Britani.

Top Channel