Kur bëhet fjalë për teoritë e prejardhjes artistike, Ankthi i ndikimit i Harold Bloom-it është më i njohuri. Kritiku i shquar letrar argumenton se “ndikimi poetik, kur përfshin dy poetë të fortë, origjinal, gjithmonë vijon me një keqlexim të poetit të mëparshëm, një akt korrigjimi krijues që në të vërtetë dhe domosdoshmërisht është një keqinterpretim”.
Ky lloj keqleximi, ajo që Bloom e quan “keqinterpretim” shpesh zhvillohet midis dy artistëve të ndarë nga humnera të mëdha të kohës dhe hapësirës: ndikimi i Dantes tek T.S. Elioti, për shembull, ose i Shekspirit tek Herman Melville. Kur vijmë tek studimi i James Joyce (1882-1941), shohim që modernisti risues përkon me një nga heronjtë e tij më të shquar letrar, dramaturgun norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906). Ashtu siç nxjerr në pah Bloom, Joyce e përshkroi veprën e Ibsenit si “me vlerë universale”. Gjatë ditëve të tij studentore, Joyce e mbrojti dhe lartësoi veprën asokohe të debatueshme të Ibsenit, me një leksion të vitit 1900 që mbajti në University College, Dublin, ashtu edhe me një recensë që botoi po atë vit në revistën londineze Fortnightly Review. Artikulli i Joyce, “Drama e re e Ibsenit”, u përqendrua në dramën më të fundit të dramaturgut, Kur të zgjohemi nga të vdekurit, dhe u prit ngrohtësisht nga vetë Ibseni, i cili me anë të përkthyesit të tij në anglisht William Archer, e përshkroi recensës si “të përzemërt”, dhe “dashamirëse”. Kështu filloi një letërkëmbim tre-vjeçar midis Joyce-it dhe Archer-it dhe një marrëdhënie miqësore, në një farë mënyre së largu mes Joyceit dhe Ibsenit.
I nderuar zotëri,
Ju shkruaj për t’ju përshëndetur me rastin e ditëlindjes së shtatëdhjetë e tretë dhe për të bashkuar zërin tim me atë të dashamirësve tuaj në të gjitha vendet. Ndoshta e mbani mend se menjëherë pas botimit të dramës tuaj më të fundit Kur të zgjohemi nga të vdekurit, një vlerësim i saj u shfaq në një nga revistat letrare angleze, The Fortnightly Review, me emrin tim. E di që e keni parë sepse pak kohë më pas, zoti William Archer më shkroi dhe më tha se në një letër që kishte marrë nga ju disa ditë më parë, ju kishit shkruar, “Kam lexuar ose thënë më saktë kam lëçitur rrokje për rrokje një recensë në The Fortnighty Review nga zoti James Joyce i cili është shumë dashamirës dhe për të cilën do të doja shumë ta falënderoja autorin sikur të kisha njohuri të mjaftueshme të gjuhës”. (Njohja ime e gjuhës suaj s’është, siç e shihni, e shkëlqyeshme, por besoj se do të jeni në gjendje të deshifroni kuptimin e asaj që po ju shkruaj.) E kam të vështirë ta përshkruaj se sa i prekur isha nga mesazhi juaj. Unë jam djalë i ri, shumë i ri dhe mbase rrëfimi i gjërave të tilla kaq shkoqur do t’ju bëj të buzëqeshni. Por jam i sigurt se nëse i ktheheni jetës suaj në kohën kur ishit student në universitet siç jam unë, dhe nëse mendoni se çfarë do të thoshte për ju të kishit fituar një fjalë përshëndetëse nga ai që në vlerësimin tuaj zë një vend aq të lartë siç zini ju për mua, do ta kuptoni ndjenjën time. Vetëm për një gjë pendohem, që një artikull i paarrirë dhe i nxituar ju ka tërhequr vëmendjen, në vend të diçkaje më të mirë dhe më të denjë për lavdërimin tuaj. Mund të mos ketë pasur ndonjë marrëzi të qëllimshme në të, por me të vërtetë s’po e zgjas më. Mund të jetë e bezdisshme ta kesh veprën tënde në mëshirën e djelmoshave, por jam i sigurt që do të parapëlqenit rrëmbimin e një djaloshi kundrejt paradokseve pa nerv, dhe “me kulturë”. Çfarë t’ju them më shumë? E kam shqiptuar zëlartë emrin tuaj në mënyrë sfiduese këtu në kolegj ku ai ishte ose i panjohur ose pak i njohur dhe shumë zbehtë. Kam shpallur për ju vendin që meritoni në historinë e dramës. Kam vënë në spikamë atë që, siç më dukej, ishte përsosmëria juaj, fuqia objektive. Mëtimet tuaja të vogla, satira, teknika dhe harmonia orkestrale, këto, gjithashtu, i çova përpara. Mos mendoni se jam adhurues i heronjve. Nuk jam. Dhe kur kam folur për ju në forume, debate dhe takime të kësaj natyre, kam detyruar të tjerët të tregojnë vëmendje ndaj jush por jo me ligjërata pa vlerë. Por gjithmonë gjërat më të dashura i mbajmë për vete. S’u kam treguar atyre se çfarë më lidhi me ju. S’u kam thënë se sprovat e jetës tuaj më mbushnin me krenari, betejat tuaja, me frymëzim, jo betejat e dukshme materiale, por ato që u zhvilluan dhe u fituan nga mendja juaj, si zgjidhja juaj e vullnetshme për të zbuluar sekretin e jetës, kjo më dha zemër ashtu si indiferenca juaj absolute ndaj kanoneve publike të artit, miqve dhe doktrinave duke gjetur dritën e heroizmit të brendshëm. Dhe kjo është arsyeja pse po ju shkruaj. Vepra juaj në tokë po i afrohet fundit, jeni afër heshtjes. Për ju po errësohet. Shumë shkruajnë për gjëra të tilla, por s’i njohin. Ju vetëm e keni hapur rrugën, megjithëse keni shkuar aq larg sa keni mundur, deri në fund të “John Gabriel Borkmanit” dhe të vërtetës së tij shpirtërore – sepse drama juaj e fundit qëndron, sipas meje, më vete. Por jam i sigurt që iluminizmi më i lartë dhe më i shenjtë qëndron – përpara. Si njëri nga nga brezi i ri për të cilin keni folur, ju përshëndes, jo me përulësi, sepse unë jam i errët dhe ju në shkëlqim, jo me trishtim sepse ju jeni një plak dhe unë një i ri, jo me guxim të tepërt, as me sentimentalizëm, por me gëzim, me shpresë dhe me dashuri, ju përshëndes.
Juaji sinqerisht, James A. Joyce
Top Channel