Vrasja për borxhin 35 mijë euro/ Sot gjykata e Vlorës lë në burg Hansi Jonuzaj. Ende në kërkim dy miqtë e tij

06/03/2021 15:11

Gjykata e Vlorës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e 44-vjeçarit Hansi, apo Andi Jonuzaj u kapur nga policia si i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit Taulant Gjika.

I arrestuari nuk ka folur gjatë seancës gjyqësore dhe është paraqitur edhe me maskë anticovid. Arrestimi i tij u bë disa minuta pas atentatit në rrugën transballkanike.

Por Hansi Jonuzaj nuk ishte vetëm në atë ngjarje. Pamjet e sigurisë tregojnë se nga makina që ndoqi taulant Gjikën dolën tre persona. I pari është Skerdian Gabriani i cili del nga makina dhe debaton me viktimën. Pas tij del me këtë armë kallashnikovi në dorë, Elton Hajnaj, ai edhe qëllon duke e vrarë në vend 31-vjeçarin, ndërsa në timonin e makinës ka qenë Hansi Jonuzaj. Pas atentatit të tre mundohet të largohen me shpejtësi, dyshohet se persona të tjerë kanë qëlluar ndaj tyre me armë.

Po përse ndodhi kjo vrasje mes personazheve që kishin miqësi mes tyre? Burimet nga grupi hetimor flasin se viktima kishte marrë një sasi prej 35 mijë euro nga i arrestuari dhe gjatë diskutimit për kthimin e tyre, ai ka përdorur fyerje dhe kërcënime me armë. Ky veprim ka bërë që të tre shokët të merrnin një vendim të shpejtë për ta ekzekutuare 31-vjeçarin. Kjo është vetëm një pistë hetimi mbi të cilën po punon prokuroria. Ndërkohë policia ka marrë në ruajtje familjarët e autorëve të ngjarjes për shkak të frikës nga ndonjë përshkallëzim i konfliktit.

Top Channel