Vrasja e Tauland Beqirajt/ Del para gjykatës Hansi Jonuzaj nën masa të rrepta sigurie

06/03/2021 11:23

Nën masa të rrepta sigurie është paraqitur në gjykatë Hansi Jonuzi i cili është një nga personat e dyshuar për vrasjen e 31 vjeçarit Tauland Beqiraj.

Trupi gjykues kryesohet nga gjyqtari Albert Spiro, prokuror i çështjes Kledian Llaho dhe avokat i Jonuzit Vladimir Sadikaj.

Për vrasjen e tij janë shpallur në kërkim Elton Hajnaj dhe Skerdjan Gabriani, ndërsa është arrestuar vetëm Jonuzaj.

Policia e Vlorës ka shoqëruar mbi 10 persona, të cilët janë dëshmitarë të rastit që e kanë parë ngjarjen dhe janë marrë  në pyetje për më shumë detaje. Ata kanë treguar dinamikën e ngjarjes, të dhëna për pamjen e personave në automjetin tip ford dhe trajektoren që ndoqi makina.

Fillimisht në komisariat është paraqitur Hansi (Andi) Jonuzaj, i cili nuk e ka pranuar krimin duke thënë që s’kam lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes si dhe arrestimi i tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qenë të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka bërë arrestimin e tij.

Top Channel ka siguruar pamjet e rënda të ekzekutimit të 31-vjeçarit Tauland Gjikaj në mes të qytetit të Vlorës më 3 mars.

Viktima, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Beqiraj apo Manaj po qëndronte në rrugë, ndërsa autori, i shoqëruar me një person tjetër zbriti nga një makinë me xhama të zi dhe qëlloi për vdekje Gjikajn, djali i një ish punonjësi policie me precedent të mëparshëm kriminal.

Të pranishëm në ekzekutim ishin tre persona, njëri që qëndroi në makinën e bardhë dhe dy të tjerët që dolën jashtë, të cilët janë identifikuar si Elton Hajnaj dhe Skerdjan Gabriani dhe janë shpallur në kërkim nga policia.

Viktima qëndroi më shumë se 5 minuta i shtrirë në rrugë dhe është marrë  nga ambulanca ndërsa ndërroi jetë rrugës për spital pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.

DOSJA E TAULAND GJIKAJT:

Viktima Tauland Beqiraj, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Gjikaj apo Manaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ishte arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Tauland Manaj u kap nga policia e Vlorës në vitin 2018 duke udhëtuar në makinë i armatosur edhe pse ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi u përfshi në një përplasje mes bandave në Vlorë. Në makinë, Manajt iu gjet një armë tip pistoletë luftarake “Baretta”, kalibër 9mm, lëndë narkotike 0.688 gram kanabis, karikator me fishekë dhe 1250 euro. Ai u lirua në vitin 2018 nga tre gjyqtarët, Nazmi Troka, Klodiana Gjyzari dhe Hysen Saliko me kryesues këtë të fundit, duke  i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Tauland Beqiraj u arrestua nga policia për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Top Channel ka siguruar dosjen e tij ku vendimi për ta liruar nga hekurat merret nga tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Vlorë. Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor Manajn për mbajtje pa leje dhe prodhim të  armëve shpërthyese e municionit duke e dënuar me 3 vite e 6 muaj burg dhe për veprën “Largim nga vendi i qëndrimit të burgosurit” duke e dënuar me 6 muaj burg. Por me uljen 1/3 të dënimit ai u la në burg për 2 vite e 4 muaj. Ai  doli i pafajshëm për veprën “Prodhim e shitje narkotikësh”. Por kundër këtij vendimi ishte Prokuroria e Gjykatës së Vlorës e cila kërkoi ndryshimin e masës.

Top Channel