“Martesë e pagëzuar nga deti”/ Rama nga Brindizi: 7 marsi mësim solidariteti, (ndoshta dhe muze), politika mos të ketë frikë nga varkat

06/03/2021 17:01

Kryeministri Edi Rama ishte në Brindizi aty ku në 7 mars 1991 zbarkuan 18 mijë shqiptarë dhe sot, siç tha ai 30 vjet më pas, shqiptarët janë qytetarë të respektuar falë kurajos, vullnetit, punës së tyre heroike.

Rama tha se në nder të kësaj dite mund të ngrihet një muze përkujtimor, ndërsa tha se politika nuk dihet të ketë frikë nga varkat.

Ndërkohë që propozoi që në këtë datë të zhvillohet një vizitë e detyrueshme e qeverisë shqiptare në Brindizi për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme dhe për të mos lënë që historia të harrohet.

Kryetari i bashkisë: Eksodi i shqiptarëve ka përfaqësuar një nga momentet më të rëndësishme për Brindizin. 1001 historitë juanë pjesë e një historie më të madhe. Ato ngjarje vunë në lëvizje një popull nga një breg në tjetrin në kërkim të shpresës, ushqimit,
Ju këtu sot përfaqësoni dy popuj që atë ditë u takuan dhe që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar. Shqipëria është gati të hyjë në Europë.

Rama: Faleminderit të gjithëve që jeni këtu dhe për këtë mikpritje të jashtëzakonshme dhe faleminderit dhe kryetarit të bashkisë që mori masa. Kemi dhe këtë diell fantastik sot në këtë ditë që sipas meje është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Brindisin por për historinë e njerëzimit në këtë pjesë të botës sepse ajo çka ndodhi atë ditë dhe reagimi i komunitetit të Brindisit është një shembull njerëzimi për të gjithë por dhe një shembull që duhet tu tregohet të gjithëve që nuk është frika apo ndonjë gjë tjetër por është dashuria drejt tjetrit, drejt të tjerëve që e mban të sigurt të ardhmen për fëmijët tanë.

Unë nuk e njihja këtë historinë e medaljes, e dëgjova vetëm tani dhe e di që nuk mund të marrim masa tani me medaljet tona por unë do thoja tani që ne, duam që këtë datë, 7 marsin ta kthejmë në një datë të një vizite të detyrueshme të qeverisë shqiptare në Brindisi për ti shprehur mirënjohjen e përjetshme e për të mos lënë që kjo histori të harrohet sepse është një histori që është shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj e tanët që duhet të jetojnë në Europën e së nesërmes dhe që nëse nuk do mbajnë mend atë që etërit e tyre kanë bërë, do rrezikojnë të bëjnë gabime dhe nga ana tjetër, 7 marsi në Shqipëri është dita e mësuesve dhe besoj se Brindisi në atë 7 mars është bërë një ndër mësuesit e mëdhenj të njerëzimit dhe të solidaritetit të vërtetë, jo të solidaritetit të atyre fjalimeve politike e të fjalimeve të bukura apo predikimeve të bukura që mbarojnë sapo fiket kamera por solidariteti i njerëzve të thjeshtë që atë ditë treguan që është politika që shpërndan frikën dhe jo njerëzit e zakonshëm. Nuk janë njerëzit e thjeshtë problemi por janë ata politikanë të cilët përhapin urrejtje dhe frikë.

Shpresoj që bashkia e Brindisit të na japi mundësinë që të kemi në çfarëdo lloj vendi një hapësirë të vogël, shtëpi të vogël për të bërë një muze të vogël nga ana jonë, për nder të kësaj historie, një muze i cili besoj duhet ta shohin jo vetëm ata që banojnë në këtë qytet por dhe shumë vizitorë. Do doja që të nënvizoja që duket pothuajse e pabesueshme, the pothuajse sepse e kemi përjetuar atë histori, po të mos e kishim përjetuar do të ishte vërtetë e pabesueshme të përfytyrohej që vetëm në 30 vjet që janë shumë në jetën e një njeriu, por janë vetëm një cast në jetën e një vendi, kaq shumë ka ndryshuar në këto vjet.

Shqiptarët mbërritën atë ditë, të uritur për liri, të uritur edhe për bukë por pastaj rrugëtimi i tyre qe i vështirë por gjithmonë drejt progresit dhe më pas, erdhi periudha kur ishin të uritur si të thuash për dokumente që të ktheheshin në qytetarë të rregullt, të ligjshëm të këtij vendi dhe më pas u futën dalëngadalë në jetën e përditshme ekonomike të vendit. Janë pothuajse 50 mijë ndërmarrjet e vogla e të mesme shqiptare në Itali dhe tani kanë arritur në një pikë tjetër ku problemi është që të kenë njohjen e kontributeve për pensionet. Domethënë është një problem që ne duhet ta zgjidhim me qeverinë italiane por është dhe një pikë mbërritjeje e një historie 30 vjeçare ku ata që në atë kohë ishin si të thuash alienë që vinin nga një botë krejtësisht e mbyllur, sot janë absolutisht të integruar e të respektuar në këtë vend ku ne gjithmonë e kemi ndjerë veten si në shtëpi.
Kur po vinim për këtu, pash mikrofonin e Antena Sud.

Nuk e dija që ishte ende gjallë por Antena Sud ishte për ne kur ishim të vegjël një emër shumë i rëndësishëm, shumë si të them i afërt sepse përfaqësonte një dritare mbi një botë që për ne ishte e ndaluar. Nuk mundej të shihej në Tiranë as Rai, asnjë televizion përveç se televizionit shtetëror shqiptar sepse kishte zhurmues por kur shkonim në Vlorë për pushime, Antena Sud ishte një nga ato dritare, ishte me të vërtetë kinemaja jonë, ishte momenti ynë të ndiheshim pjesë e botës, atëherë kur ishte kohë e bukur se ndryshe nuk arrinte sinjali, e mund të shikonim kanalin Antena Sud.

Më pas, kur u hodhëm si të thuash nga ajo dritare, erdhëm këtu, arritëm këtu, sigurisht që realiteti ishte ndryshe nga ai që mund të përfytyrohej nga Rai dhe më tepër nga Mediaset por sidoqoftë sot jemi shumë të lumtur që jemi qytetarë me të drejta të plota të këtij vendi kur jemi këtu e punojmë këtu e jemi shumë të lumtur që të shohim dhe shumë italianë që vijnë në Shqipëri, të shohim italianë që punojnë në Shqipëri, të shohim italianë që studiojnë në Shqipëri dhe shpresoj shumë që të mund të bëjmë dhe më shumë sëbashku e shpresoj shumë që kjo si të thuash martesë që është pagëzuar nga deti më 7 mars të 30 viteve më parë, do të jetë një martesë e lumtur në përjetësi.

Faleminderit dhe një herë të gjithëve dhe doja ta përfundoja me një tribut për një person, një njeri që ndodha në atë moment ishte vetëm një kryetar bashkie i ri në moshë, i Brindisit por mjaftoi vetëm një ditë për ta bërë atë një personazh të historisë së Shqipërisë dhe një personazh që shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë, kryetarin e bashkisë Marchionna i cili duhet të punësohet nga qeveria italiane që ti bëjë leksione private politikanëve italianë që duan ta qeverisin vendin dhe që janë si të thuash të obsesionuar nga varkat. Duhet tu bëj mësime noti e shëtitje me varkë për të mos pasur këtë frikë, këtë obsesion nga varkat. Varkat nuk sjellin fundin e botës, sjellin përkundrazi mundësinë për tu hapur ndaj botës. Faleminderit!
*
– Thatë që doni ta institucionalizoni këtë ditë, mund të na shpjegoni se si?

Kryeministri Edi Rama: Duam ta bëjmë ditën e 7 marsit një ditë përkujtimore dhe reflektimesh, ,pa bezdisur këtu, ne thjesht duam që autoritetet shqiptare çdo 7 mars të vijnë të bëjnë pikërisht këtë, të falënderojnë e të komunikojnë duke parë pakëz dhe të ardhmen.

– Po muzeun?

Kryeministri Edi Rama: Po, me ndihmën e Mikeles dhe të bashkisë së Brindisit ndoshta do gjejmë hapësirën, një hapësirë të duhur, jo ndonjë gjë të tepruar, kolosale por një hapësirë të duhur ku mund të bëjmë një muze për nder të qytetarëve brindizinë e do ishte besoj unë pika ku fëmijët do të mund të informohen, të shohin, të mësojnë se çfarë kanë bërë prindërit e tyre e prej kësaj, duke mësuar të gjitha këto të ndihen edhe krenarë e të vazhdojnë në gjurmët e tyre, në gjurmët e prindërve sepse kjo është historia e Italisë, është histori e njerëzimit.

– Një kujtim personal tuajin më të bukur të asaj kohe?

Kryeministri Edi Rama: Kujtim të bukur të atij eksodi nuk ka asnjë. Ajo çka e bën të bukur atë kujtim është ajo cka bënë qytetarët e Brindisit, të Puljas e të gjithë qytetarët italianë e ajo që bënë vetë shqiptarët duke u shndërruar në qytetarë me të drejta të plota falë punës së tyre, falë dinjitetit të tyre. Kjo është gjëja e bukur. Kujtoj ato imazhe, ato pamje, janë pamje dhimbjeje, janë pamje shumë vuajtjesh por tashmë janë fillimi i një filmi me një përfundim të bukur, të mirë.

– Mesazhi juaj në këtë ditë të veçantë për qytetarët e Brindisit?

Kryeministri Edi Rama: Unë dua thjesht ti them faleminderit të gjithë atyre që kanë qenë këtu atë ditë dhe u hapën shtëpitë e tyre, zemrat e tyre të dëshpëruarve që “pushtuan” këtë qytet dhe dua thjesht ti nderoj dhe kush jam unë pastaj për të dhënë mesazhe, thjesht pra ti falënderoj.

– Për rolin e politikës? Që politika të mos jetë e obsesionuar nga varkat që thatë qeparë?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që në përgjithësi politika nuk duhet të jetë e prirur, pra nuk duhet të rritet mbi frikën e njerëzve duke ushqyer atë frikë sepse njerëzit duhet të shohin politikën e të shohin shpresën dhe jo urrejtjen dhe frikën. Kjo zgjedhje duhet të jetë e qartë sipas meje.

– Ju jeni dëshmitar i drejtpërdrejtë i zbarkimit…

Michele Emiliano, Presidenti i Rajonit të Pulias: Po, unë isha zëvendësprokuror, po zbrisja për të shkuar nga shtëpia në punë e gjeta përqafimin e mijëra njerëzve që kishin zënë gjithë hapësirën në rrugën në Brindisi. Është një ditë që do të kujtohet e do mbetet në mendje e siç tha dhe kryeministri Rama, pati një finale pozitive pavarësisht çorientimit, ankthit të atyre orëve. Në fund të fundit mund të themi që kemi bërë diçka të bukur të dy popujt sëbashku. Dhe unë e falënderoj Kryeministrin Rama për këtë rast që i dhanë Brindisit dhe gjithë Puljas.

Kujtojmë se në fillim të marsit të vitit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në portin më të madh të Shqipërisë. Duke sjellë në vëmendje shifrat e asaj kohe, vetëm në javën e parë të marsit të 91-shit, në portin e Brindisit janë ankoruar 24 mjete lundruese të madhësive të ndryshme, me një numër të madh të qytetarëve nga Shqipëria.

FOTO GALERI
11/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA