Lugina buzë lumit Drino, një territor prej dhjetëra hektarësh përballë Gjirokastrës i është kthyer me vendim të agjencisë së kthimit të pronave dy familjeve historike të Gjirokastrës.

Që prej vitit 2005, kur ka pasur një ndërhyrje për të bonifikuar anën tjetër të lumit buzë tregut të Fruta-Perimeve, kjo anë e lumit ka pasur dëmtime të konsiderueshme. Pronarët flasin për disa mijëra metra katrorë të rrëmbyera prej lumit.

Është hera e dytë që ne na merret prona. Herën e parë na u morr nga diktatura, herën e dytë po na merret nga lumi. Ne kërkojmë nga shteti që të ndërhyjë për ta mbrojtur këtë sepse duke e lënë kështu për 10 vjet ka marrë kaq, për 10 vjet të tjera do të vijë te stadiumi, do të marrë edhe stadiumin. Kësaj toke i është marrë një sipërfaqe prej 4000-5000 m2 si rezultat i mosmirëmbajtjes”, thotë një nga pronarët e tokës, Pano Muka.

Njëkohësisht këtu kërcënohen edhe shtyllat e tensionit të lartë dhe të tensionit të mesëm, që furnizojnë zona të tëra me energji elektrike.

Një shtyllë është marrë nga uji, erdhën bënë një ndërhyrje. Kjo është e treta që po bëjnë, e njëjta gjë edhe me shtyllën e tensionit të lartë. Ky është një problem dhe rrezik jete edhe për njerëzit se këtu vijnë në prill, maj familje që vijnë me kalamajtë, peshkatarë, njerëz të cilët lahen në lumë”.

Gati një dekadë më parë lumi Drino kalonte pikërisht në territorin me zhavorr që duket në anën tjetër. Ky devijim i rrjedhës në krahun perëndimor ka bërë që të humbasë një sipërfaqe toke prej 4-5 mijë metrash katrorë tokë në këtë krah të lumit.

Top Channel