Kamioni përplasi 65-vjeçarin, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore/ Arrestohet shoferi

06/03/2021 13:23

Mbrëmjen e djeshme, një 65-vjeçar që po lëvizte me biçikletë në autostradën Durrrës-Tiranë është përplasur nga kamion.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, ku drejtuesi i mjetit tip “Volvo” përplasi 65-vjeçarin, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia njofton se ka arrestuar sot, shoferin e kamionit, 50-vjeçarin me iniciale F.T.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin F. T., 50 vjeç,  banues në Durrës, pasi më datë 05.03.2021, në orën 21:20, në autostradën Durrës-Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Volvo”, kamion, ka aksidentuar biçiklistin, një shtetas ende të paidentifikuar, rreth 65 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Po ashtu, policia e Durrësit njofton se ka arrestuar dy shtetas të tjerë, për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Pushtimi i tokës”:

Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin D. S., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorrike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, proceduan penalisht shtetasin Q. S., banues në Larushk, Krujë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi i ka pushtuar një sipërfaqe toke shtetasit E. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel