Fiks Fare/ Rrezikon mjekimin me insulina se nuk merr dot rekomandimin! Mjekja e familjes: Fajin e ka sistemi!

05/03/2021 20:50

Qytetari Spiro Gega nga fshati Libonik I Maliqit ankohet në emisionin Fiks Fare se mjekët po i rrezikojnë jetën.

Kjo për shkak të vetëm një rekomandimi që mjekja e familjes nuk ja lëshon. Z. Spiro Gega me këtë rekomandim të lëshuar nga mjekja e familjes duhet të paraqitet për të marrë ilaçet e nevojshme siç është insulina për një diabetik tek mjekja specialiste.

Gjithashtu këtij të sëmuri prej kohësh nuk i plotësohet as dosja e kempit. Për Fiksin i revoltuar ai thotë se nuk ka më shpresë për zgjidhjen e problemit! Duke theksuar se nuk po i kërkon asgjë më tepër këtij shteti përveçse atë që i takon.Dokumentin për kempin dhe mbi të gjitha ilaçet të cilat e mbajnë gjallë në jetë.Gazetarët e Fiksit shkojnë takojnë mjeken e familjes të Z.Spiro që është edhe hallka e parë e këtij problemi përsa i përket lëshimit të rekomandimit.

Mjekja thotë për Fiksin se rekomandimin e ka të pamundur ta bëjë,  sistemi nuk ja lejon, pasi mjeku endokrinolog dhe neurolog në poliklinikën e specialiteteve nuk kanë asnjë datë të lirë.Gjithashtu ajo thotë se ky problem është prej disa javësh madje apo  muaj dhe e vuajnë shumë pacientë të tjerë.Sipas mjekes të familjes dijeni ka edhe njësia vendore e kujdesit të shëndetit, por kurrë nuk kanë dhënë një përgjigje për problemin e adresuar.

Fiksit mjekja e familjes i vendos në dispozicion edhe fletoren ku mban të shënuar të gjithë persona që nuk mund t’i referojë për tek mjeku specialist. Sipas saj pandemia është shkaku që krijon këtë ngërç, sepse një nga mjeket enokrinologe ka munguar prej disa ditësh në punë rrëfen mjekja e familjes për Fiksin.

Gazetarët për të marrë një përgjigje për problemin komunikojnë me anë të telefonit me drejtorin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë. Drejtori thotë për Fiksin se kjo situatë mund të jetë krijuar për shkak të reduktimit të mjekëve specialist nga pandemia covid 19, por që urgjencat nuk kanë mbetur pa u trajtuar.

Ndërkohë për rastin konkret drejtori shpjegon se nuk ka dijeni pavarësisht se gazetarët e Fiksit i thonë se vetë ai bën pjesë në grupin në të cilin mjekja e familjes dërgon mesazhet për problematikat. Megjithatë drejtori u kërkon gazetarëve t’i dërgojnë një kartë identiteti të pacientit për ta planifikuar menjëherë tek mjeku specialist!

Qytetari Spiro Gega i lumtur për zgjidhjen e problemit të tij ku më në fund mund të marrë ilaçet që e mbajnë në jetë falenderon Fiksin duke thënë: Shtet nuk ka shyqyr që është emisioni Fiks Fare që na zgjidh hallet tona!

FOTO GALERI
1/8

Top Channel