Rama nga Italia kërkon njohjen e patentave shqiptare: Kanë ngecur në korridoret e burokracisë italiane

05/03/2021 20:40

Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Bari të Italisë me rastin e 30 vjetorit të eksodit i shqiptarëve drejt vendit fqinj.

Ai mbajti një konferencë me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio dhe kreun e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.

Gjatë fjalës së tij ai kërkoi njohjen e patentave shqiptare në Itali, duke theksuar se kanë ngecur keq në korridoret mjaft të veçanta të burokracisë italiane.

“Nuk kam më për të shtuar, por meqë këtu janë tërë këta gazetarë dhe meqë prej javësh më kanë bombarduar me pyetje, shpresoj që ambasadori të më falë për këtë shkelje të protokollit, dua t’i shfrytëzoj këto sekonda për t’i kërkuar Luigit që të kujdeset për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali, sepse kanë ngecur keq në korridoret mjaft të veçanta të burokracisë italiane. Ata duhen nxjerrë prej andej, që kështu të mund t’i drejtojnë automjetet në mënyrë të rregullt, sepse, ashtu si edhe napoletanët, ne shqiptarët jemi shumë të disponueshëm për t’i drejtuar automjetet edhe pa patentë. Këtë nuk mund ta lejojmë”, tha Rama.

Top Channel