ArtKand, emisioni më i ri i artit/ Një galeri e re televizive çdo të shtunë në ekranin e Top Channel

05/03/2021 20:16

Një galeri e re televizive sapo ka marrë jetë në Top Channel.

ArtKand, emisioni më i ri i artit në Shqipëri, çel siparin këtë të shtunë në orën 14:15. Një ankand veprash arti, do të zhvillohet në një galeri të mirëfilltë.

Kjo është një hapësire e re ekspozimi për të gjithë artistët, që shpesh kanë qenë të shqetësuar për mungesë të galerive. Nën autorësinë dhe moderimin e Jetona Kocibellit, dhe në statusin e të ftuarit të përhershëm Genc Përmetit, ArtKand është në momentet e fundit të përgatitjes.

“Kjo është një ftesë për të gjithë ata që duan të sjellin dhe promovojmë artin e tyre, por mbi të gjitha për të gjithë ata që duan të investojnë dhe të kenë pasuri të patundshme veprat e artit. Unë e kam thënë edhe në herët që në Shqipëri ndodh të kemi 10 apartamente dhe një pikturë ndërkohë që rëndom duhet të ishte e kundërta. Pra të kishim dhjetë piktura dhe një apartament. Unë besoj që ky do të jetë një program që do të ketë sukses. Do t’i ftoja të gjithë audiencën dhe ata që ndjekin, që e duan dhe janë të dashuruar me artin, të gjejnë një dritare të re komunikimi Të qarkullojnë veprat. Të shesin dhe të blejnë. Të gjitha këto bëhen nën emrin e madh, të një ekrani të madh. Sic është Top Channel”, tha Jetona Kocibelli, autore/moderatore e ArtKand.

Studioja si galeri, është konceptuar dhe krijuar nga skenografi Fatmir Minga, i cili shprehet se nëpërmjet saj ai ka realizuar një ëndërr.

“Unë me profesion jam piktor dhe kisha kohë që e ëndërroja një emision të tille, këto emisione hyjë në një stad elite. Të bësh një galeri sot dhe të investosh për një galeri, është zgjuarsi. Këtë e bëri Topi. E falënderoj Topin që investoi për një galeri”,tha Fatmir Minga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA